NË PRIZREN
Pse trajneri i Lirisë la ndeshjen në gjysmë?
1 December, 2016 @9:08
Trajneri i ri i Lirisë, Genc Tamniku, pas pjesës së parë nuk ka qenë në vendin e tij, te banka e bardhezinjëve. Shkak i largimit të Tamnikut, që nuk doli për të drejtuar ekipin në pjesë të dytë, ka qenë ndërhyrja e disa anëtarëve të klubit të Lirisë në punën e tij. Së paku kështu ka thënë vetë ai në prononcim për të përditshmen Koha Ditore.
“Nuk është në pyetje dorëheqja ime dhe një gjë e tillë nuk ekziston. Ishte një mosmarrëveshje në zhvillim e sipër të lojës dhe ajo mosmarrëveshje ka vazhduar deri në dhomat e zhveshjes, ku persona të paautorizuar ndërhyjnë në kompetencat e trajnerit. E papranueshme. Kur një trajner drejton skuadrën, ndërhyrjet e tilla nuk duhet të bëhen, jo vetëm në klubin tonë, por askund tjetër. Në këto raste humb vetëm futbolli kosovar. Shpresoj të mos përsëriten këto raste më,” ka thënë Tamniku, shkruan Koha Ditore sot.
Në anën tjetër, zyrtarët e klubit të Lirisë këtë nuk e quajnë ndërhyrje por konsultim.
“Genci ka qenë ushtrues detyre pas largimit të Ramiz Krasniqit. Punët nuk shkonin si duhet dhe është dashur të kemi një konsultim me Gencin. Këta trajnerë mendojnë se janë të paprekshëm. Siç kemi përgjegjësi ndaj opinionit në Prizren, ashtu edhe trajnerët kanë ndaj nesh. Nuk është përzierje nëse japim mendim. Pa bashkëpunim nuk ka suksese. Ky egoizëm i disave na ka sjellë këtu. Ne nuk jemi përzier në formacion, por kemi dhënë mendim. Trajneri Tamniku për tre ndeshje që i kemi pasur brenda ka arritur një barazim dhe ka pësuar dy humbje,” ka thënë Erxhan Dana, ish-futbollist i Lirisë, tash zyrtar i lartë i bardhezinjëve.
Tamniku ka marrë drejtimin e Lirisë disa xhiro më parë. Ai ka zëvendësuar trajnerin e njohur prishtinas, Ramiz Krasniqi, që drejton përfaqësuesen U-19 të Kosovës. Krasniqi kishte dhënë dorëheqje për arsye të ngjajshme nga Liria.