KREU I SUPERLIGES EVROPIANE
Puna vazhdon, Superliga do të jetësohet
22 April, 2021 @12:08
Kryetari i Real Madridit dhe i Superligës Evropiane të futbollit, Florentino Perez, nuk është dorëzuar.
Përkundër largimit masiv të skuadrave nga projekti Superliga Evropiane pas presioneve të mëdha nga UEFA, FIFA, Federatat përkatëse dhe tifozëritë angleze — Perez ka bërë të ditur se kontratat ende ekzistojnë me klubet dhe se projekti Superliga Evropiane është ndalur vetëm përkohësisht.
“Do të vazhdojmë punën. Projekti është duke pushuar përkohësisht. Nuk mund të dalësh nga kontrata e nënshkruar në këtë mënyrë. Janë kontrata që detyrojnë. Ndoshta ne nuk e kemi shpjeguar mirë tërë projektin, por ndoshta edhe nuk na lanë kohë për të shpjeguar atë mirë e mirë, pas agresionit dhe kërcënimeve të shfaqura,” është cituar të ketë thënë kreu i madrilenëve.
Ai ka insistuar se Superliga Evropiane është këtu për të shpëtuar futbollin, derisa ka thënë se në 2 dekadat e tij në futboll, asnjëherë s’e ka menduar një agresion të tillë të shfaqur nga Federatat.
“Jam në futboll qe 20 vjet dhe kurrë s’kam parë kërcënime të tilla. Thuajse e mbytëm dikë. Thuajse e mbytëm futbollin. Ne vetëm po tentojmë shpëtimin e futbollit. Formati i Ligës së Kampionëve është i vjetër dhe e vetmja gjë interesante që ka mbetur aty është faza e çerekfinales e tutje,” ka thënë Perez.