5 PËR FUNDJAVË!
Renesanca franceze!
Shkruan: Luan MORINA
20 January, 2017 @15:00
1. Manchester City – Tottenham (e shtunë, ora 6e30)
Fernando dhe Fernandinho janë të lënduar e dënuar, që me gjasë do të riaktivizoj Zabaletan në mesfushë përkrah Yaya-s. Edhe Spurs kanë probleme me lëndime, si zakonisht është Jan Vertonghen, derisa pritet të mungoj edhe Lamela. Serinë prej 6 fitoreve s’do të jetë lehtë të vazhdojnë kundër Cityt, ku më në fund mund të shohim edhe Gabriel Jesusin. Ndoshta!
Futbolli anglez është i paparashikuar dhe Eriksen di të ketë ditë të mira edhe në Etihad Stadium. Dita e mirë do të varet kryekëput nga qejfi i Harry Kane.
2. Milan – Napoli (e shtunë, ora 15n9)
Sezonin e kaluar Zapata kishte shpërblyer Napolin. Këtë sezon radhën e ka Paletta. I vetëm me Gomezin që dorën në zemër nuk ka qenë i dobët, Paletta ka probleme të ndjek cilindo lojtarë që mbetet mbrapa shpinës së tij. Kështu ka marrë kartonët e kuq këtë sezon dhe kështu do të vazhdoj. Do të vazhdoj derisa Galliani të komandoj tregun e Milanit, e mbi të gjitha derisa të qartësohet puna e kinezëve problemet e të cilëve nuk kanë të ndalur.
Në anën tjetër Napoli është pa mbrojtësit afrikan dhe Milikun. Kjo s’do të paraqet problem nëse aktivizojnë Lorenzo Insignen, i cili është i dashuruar në portën e Milanit.
3. Juventus – Lazio (e diel, ora 12e30)
I dashuruar në portë kundërshtare është edhe Higuaini. Ai ka shënuar dyfish më shumë gola ndaj Lazios se ndaj secilit ekip në Serie A përgjatë kohës sa është në Itali. E që nga koha kur Higuain është shëtitur në ekipet e të rinjve, Lazio nuk ka arritur të mposhtë Juventusi, pra 12-13 vite Juventus nuk di për humbje ndaj djemve të Lotitos.
Shto edhe faktin që si vendas Juventus e ka të vështirë të humb edhe të pësoj gola, e lëre më të humb pikën, atëherë në letër kjo del të jetë lojë e lehtë për ‘ekipin me logo.’ Lazio ka ekip të talentuar dhe Simone po tregohet më i suksesshëm se vëllai i tij në postin e trajnerit. Ndoshta do të ishte edhe si futbollist më i suksesshëm po të kishte fatin e të vëllait e të ishte në një ekip kampionësh.
4. Bilbao – Atletico (e diel, ora 4e15)
Krejt vëmendja është tek Sevilla. Gjendja aktuale në France e Spanjë na tregon më së miri se sa i mbivlerësuar ka qenë Emery. Së paku për momentin mund të vlerësojmë këtë. Ndërkohë Atletico po vuan kur nuk duhet të vuaj, në momentin kur ka stabilizuar ekipin me emra me themele të gurta në këtë 11she. Por, diçka nuk po shkon.
Në anën tjetër atmosfera në San Mames ku ‘përfaqësuesja’ baske zhvillon mbi 20 ndeshje në vit është ndër pak gjërat e bukura në tribuna në futbollin spanjoll. Është një rivalitet i nivelit dytësor, gjithnjë nën hije të El-Clasicos.
5. Lyon – Marseille (e diel, ora 9)
Në sondazhin e L’Equipe, mbi 60% të personave që kanë votuar dëftojnë që nuk janë të kënaqur me tregun dimëror në ligën e PSG-së. Depay zor që do të jetë gati për Lyonin, derisa Marseille me pronarin e ri i cili njihet për probleme financiare në MLB, ka nisur furishëm dimrin me prurjen e Morgan Sanson. Cabaye, Mandanda, e Payet janë poashtu në listën e dëshirave tek ekipi me histori të njollosur në futbollin francez.
Derisa kjo jep një shpresë për ringjalljen e futbollit francez, kryesisht falë Favre e Jardim këtë sezon, për të mirë pritet të jetë edhe shitja e Lille ku me gjasë Marcelo Bielsa do të merr timonin.