OPINION
Respekt për fitore
Shkruan: LUAN MORINA
25 March, 2019 @12:22
Kundër Danimarkës shfaqëm një lojë të bukur, me kurajë dhe guxim për të mos ndryshuar pa marrë parasysh rivalin. Pa tre lojtarë kyç në ekip arritëm të mposhtim danezët për 90 minuta lojë. Minutat shtesë ishin të kobshëm, me një lëshim që të kujton Shqipërinë e viteve 90ta e 2000ta!
Megjithatë, hedhja e një trajektoreje të tillë është e padrejtë për djemtë tanë të cilët me një qasje të ngjashme ndaj kundërshtarëve tjerë mund të bëjnë mrekulli! Duhen vetëm edhe dy gjëra në një shkallë më të lartë – respekti dhe përqendrimi.
Bullgarët janë ekip i moshuar, me një mbrojtje goxha statike derisa përdorin përgatitjen e ngadaltë të sulmeve dhe ndërprerjet për të dëmtuar kundërshtarin. Me krahët dinamik që i kemi dhe shfrytëzimin e kundërsulmeve lehtë mund t’i lëndojmë, e edhe të marrim tri pikë.
Shiko: ORARI dhe TABELA EURO 2020
Për të mposhtur bullgarët pos talentit që e kemi mbi të gjitha na nevojitet respekti ndaj kundërshtarit. Në mungesë të respektit bie niveli i përqendrimit dhe pastaj mund të pësojmë gola sikur ndaj Danimarkës! Gola të tillë, në fund të ndeshjes nuk na nevojiten. S’besoj që ai gol do të ketë ndikim në përgatitjen psikike për këtë ndeshje.
Celina ishte i jashtëzakonshëm të enjten duke e bërë atë që po e bën për Swansean këtë sezon. Mbresëlënës ishte mbrojtja përkundër mungesës së Kolollit. Aliti shfaqi përgatitje që nuk e prisja pas sezonit që ka pasur, derisa me qejf do të kisha parë Kryeziun e Xhemajlin. Paqarada pas një kohe të gjatë dukej se funksionoi mirë, gjersa vërehej mungesa e Kryeziut ndonëse Halimi ishte goxha i mirë në mbulimin e tij. Krahët e sulmit si zakonisht të shkëlqyeshëm, me qendërsulmuesit gjithmonë në formë. Krejt çfarë nevojitet tashti është përqendrimi kundër bullgarëve.
Për Panuccin
Në çfarë universi mund të punësosh një trajner që nuk ka pasur asnjë sezon të plotë me një ekip, e më së shumti ka qenë asistent në një kombëtare?!
Ardhja e Panuccit ka qenë e gabuar, ngjashëm si krejt periudha e tij në udhëheqjen e Shqipërisë. Largimi i tij është vendimi i duhur, ndonëse nuk është dashur të ndodhë kurrë (të mos vinte fare)! Kushdo që vjen pas tij do ta ketë më lehtë, së paku pa presionin e mediave! Ndeshja e parë është me Andorrën, ndonëse nuk do të jetë lehtë as me Moldavinë.
Shiko: ORARI dhe TABELA EURO 2020
Megjithatë, asnjë trajner që vjen nuk do të kryej punën e De Biassit. Ka qenë një në 104 vite! Ngjashëm si gjenerata.
Kjo Shqipëri është e përbërë nga lojtarë që nuk po kanë vend tek Kosova, dhe nga ata që nuk po gjejnë vend në Zvicër apo Greqi. Një ekip i tillë do ta ketë të vështirë të bëj mrekulli kundër ekipeve si Islanda e Turqia për të siguruar një biletë për Euro2020!
i:
Shkrimet e autorit, nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë. |