JERMAINE DEFOE
Rikthehet Defoe
30 June, 2017 @6:25
Sulmuesi veteran i Anglisë, Jermaine Defoe, i është kthyer ekipit ku nisi karrierën si huazim për të bërë emër.
Defoe 34 vjeç ka nënshkruar kontratë 3 vjeçe me ekipin e Bournemouthit dhe aty ka kaluar si lojtar i lirë, duke e shfrytëzuar një klauzolë nga kontrata që e kishte me Sunderlandin.
Raportet nëpër mediat britanike shkruajnë se ai do të pagohet përreth 65 mijë funta në javë si sulmues i ri i ekipit të B’mouthit.
Defoe ka qenë pjesë e Bournemouthit në fillim të karrierës së tij, gjatë vitit 2000, kur kishte shënuar 19 gola për këtë ekip.
Tash, Defoe do të luajë rolin e njeriut gol në ekipin që mbijetoi Premier Ligën. Defoe ka shënuar 15 gola në stinorin e kaluar për Sunderlandin, duke u bërë golashënuesi më i mirë i këtij ekipi dhe një më pak se Joshua King, golashënuesi më i mirë i Bournemouthit që drejtohet nga Eddie Howe.
“Ky është një moment i madh për ekipin dhe një hap tjetër në rrugë të drejtë,” ka thënë Howe pas arritjes së marrëveshjes me yllin veteran të Anglisë.