GRUPI F
Ronaldo për tre rekorde
14 June, 2016 @20:36
Në ndeshjen që zhvillohet sonte mes Portugalisë e Islandës, superylli Cristiano Ronaldo do të jetë drejt thyerjes së tre rekordeve personale.
Nëse shënon, Cristiano do të bëhet lojtari i parë që shënon në 4 kampionate evropiane radhazi. Portugezi shënoi 2 herë në “Portugali 2004”, 1 herë në “Austri-Zvicër 2008” dhe 3 herë në “Poloni-Ukrainë 2012”. Rekordin e njejtë po e ndjek edhe Zlatan Ibrahimoviç, i cili po ashtu ka shënuar të paktën nga 1 gol në 3 kampionatet e mëparshme evropiane.
I dyti rekord që mund të thyhet nga portugezi ka të bëjë me golat në histori të evropianëve. Për momentin, Ronaldo ka 6 gola, 3 më pak se Michel Platini me 9, i cili është golashënuesi më i mirë në histori të kampionateve evropiane.
Po ashtu, me paraqitjen që do ta bëjë sonte, Ronaldo do ta arrijë shifrën e 127 paraqitjeve me fanellën e Kombëtares Portugeze. Vendi i parë me 127 paraqitje i takon Luis Figos dhe ky rekord sonte do të barazohet, ndërsa do të tejkalohet nga Ronaldo në ndeshjen e dytë të grupeve.