PSG

REUTERS/Gonzalo Fuentes
S’duan të shkojë
20 May, 2013 @9:55
Pas një jave spekulimi lidhur me të ardhmen e trajnerit italian të Paris St Germainit, Carlo Ancelotti, më në fund ai ka konfirmuar dëshirën për t’u larguar nga Parisi.
“Kam kërkuar nga klubi që të më japin leje për largim, pasi që kam kontratë dhe më duhet leja e tyre. Po e pres përgjigjen,” është cituar strategu 53 vjeçar Ancelotti nga mediat françeze sot.
Për më tepër, këtë e ka konfirmuar edhe BeIN Sport, kompania që ka të drejtat televizive për transmetim të Ligue 1 të Francës.
“Carlo Ancelotti nuk do të jetë trajner i PSG-së stinorin tjetër. Ai është takuar me kreun e klubit, Nasser al-Khelaifi dhe me drejtorin sportiv, Leonardo, për të sqaruar çështjen,” ka shkruar BeIN Sport në portalin e saj.
Mirëpo, bëhet e ditur se dyshja kryesore e parisienëve, al-Khelaifi - Leonardo, nuk dëshirojnë ta lënë Ancelottin të shkojë.
Ancelotti ka fituar titullin e kampionit me PSG-në këtë stinor, duke ia sjellë klubit këtë trofe për herë të parë pas vitit 1994. Ai ka fituar tituj më parë edhe me Milanin dhe Chelsean. Me Milanin ka fituar dy herë edhe Ligën e Kampionëve, 2003 dhe 2007.
Kontrata e tij me PSG-në është renovuar automatikisht në momentin kur skuadra e tij ka siguruar kualifikimin për Ligë të Kampionëve stinorin tjetër.