FERIZAJ - DRITA

Shabani vendos për kampionin
29 March, 2019 @16:04
Drita ka arritur të shënojë fitore me rezultat 1-2 ndaj Ferizajit.
Marsi perfekt i kampionit. Pesë fitore në pesë ndeshjet e fundit për Dritën e Gjilanit, që po tregon këndelljen e kampionit. Viktimë e radhës për gjilanasit bardhekaltër ka qenë sot Ferizaji, që pësoi në minutën e fundit të ndeshjes nga një goditje precize e Xhevdet Shabanit.
Drita kështu ka kryer muajin mars me super sukses duke shënuar në të gjitha ndeshjet fitore. Por, rruga për në fitore nuk ka qenë edhe aq e lehtë për djelmoshat e Ardian Nuhiut.
Qëndrim Dautaj i dha epërsinë Ferizajit në pjesë të parë, pas asistimit të Arbër Mones. Goli i shënuar në minutën e 26-të të ndeshjes për ferizajisit e këndellur me Bylbyl Sokolin i dha shpresë, së paku për pikë atyre.
Por kështu nuk menduan mysafirët. Ata në pjesë të dytë shënuan së pari me nigerianin në formë, Kyrian Nwabueze (54’) e krejt në fund, me Shabanin erdhën te fitorja.
Kjo ka qenë fitorja e 13 e stinorit për Dritën, që tashmë mund të thuhet se ka kryer misionin në Superligë për këtë stinor, duke qenë se s’është e rrezikuar aspak për pozitat e poshtme, dhe është larg kryesuesve.
Punë edhe më të lehtë do të ketë Drita në xhiron që vjen, kur pret KEK-un në stadiumin e qytetit të Gjilanit xhiron e radhës, derisa Ferizaji do të jetë mysafir i Llapit në formë në xhiron e XXV.