TRAJNERI I DERITASHËM I LIRISË
Shkëmbi zyrtarizohet në Superiore
4 June, 2018 @11:44
Pas një stinori të kaluar tejet mirë te Liria e Prizrenit, ku debutoi si trajner i parë në karrierë, Bledi Shkëmbi ka gjetur angazhim në Kategorinë Superiore shqiptare.
Korçari 38 vjeç është zyrtarizuar si trajner i ri i Teutës së Durrësit në Shqipëri dhe do të mundohet që të bëj ngritjen e ekipit, që këtë stinor luftoi për mbijetesë në Superiore.
Te Liria e Prizrenit, Shkëmbi kaloi një stinor tejet të mirë, duke e çuar Lirinë në pozitë të pestë të Superligës së Kosovës, ndërsa gjatë stinorit arriti të shpiejë ekipin në luftë për kreun e tabelës, duke qëndruar disa javë në pozitë të tretë të klasifikimit.
Shkëmbi gjatë karrierës së tij si lojtar ka qenë lojtar i Teutës në dy raste. Ai ka luajtur për durrësakët në vitet 2000 dhe 2001 si dhe aty ka bërë rikthimin pas epokës së kaluar jashtë vendin, kur iu rikthye Superiores si lojtar në vitin 2007.
Në njoftimin zyrtar të Teutës, ekipi gjatë njoftimit për arritjen e marrëveshjes me Shkëmbin ka falenderuar ish-trajnerin e skuadrës, Gentian Begeja dhe stafin e tij, Ilir Biturku dhe Xhevahir Kapllani, duke u dëshiruar suksese në karrierë.