KF BESA

Valdet Shoshi (në mes) me fanellë të errët/KF Besa
Valdet Shoshi, jep dorëheqje
26 August, 2014 @8:12
Valdet Shoshi, ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të shtabit të Besës së Pejës, pas vetëm dy xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës.
Një pikë, nga dy derbi si vendas në Shahin Haxhiislami
Besa nuk arriti të fitojë asnjërën nga dy ndeshjet e para të zhvilluara në Superligë. Të dyja ndeshjet, pejanët i zhvilluan si vendas, derisa si kundërshtarë kishin dy skuadrat e forta, Trepçën’89 (3-3) dhe Prishtinën (1-2).
Nga këto dy ndeshje, pejanët që mëtojnë të luftojnë për titull këtë stinor kanë arritur të fitojnë një pikë të vetme - dhe Shoshi është larguar nga detyra e tij.
Zëvendësuesit e mundshëm
Ai bëhet trajneri i parë i stinorit të ri që largohet nga posti i tij, ndërsa atë pritet të zëvendësojë Ramiz Krasniqi, Erdogan Celina ose Arbnor Morina - shkruajnë burimet e të përditshmes Sport Plus sot.
Trofeu
Besa është tre herë kampione e Kosovës pas luftës (2004/05, 2005/06, 2006/07), derisa dy herë ka fituar Kupën e Kosovës (2004/05 dhe 2010/11) dhe një herë Superkupën (2004/05).
Pejanët këtë verë kanë bërë transferime të bujshme në Superligë dhe kanë qëllim të shpallen kampion të Kosovës në fund të stinorit.