PRISHTINA 1-0 DRENICA
Shpëtimtari Besnik Krasniqi, përsëri sjell fitore
31 October, 2021 @15:42
Ka shënuar katër herë në pesë duelet e fundit të Prishtinës dhe shpesh kontributi i tij solli fitoren. Mbrojtësi Besnik Krasniqi ka bërë të njëjtën përsëri.
Kësaj radhe u asistua nga nigeriani Oto John për të shënuar për herë të parë këtë stinor gol nga loja, kurse Prishtina mposhti Drenicën me rezultat minimal 1-0 [Besnik Krasniqi 83].
Pas fillimit më të mirë të ndeshjes nga vendasit në Fadil Vokrri, mysafirët bën një ndërrim të detyrueshëm për shkak të lëndimit të Visar Haxhijaj. Në anën tjetër Prishtina tentoi edhe dy herë deri në fund të pjesëlojës së parë.
Së pari Mendurim Hoti nga distanca (38) e më pas edhe Endrit Krasniqi (44). Pjesa e dytë nisi matur, ndërsa rastet e para u shënuan në të mirë të Drenicës, ndërsa më e mira ishte e Denissonit (73).
Pas kësaj ka qenë një aksion i bukur prishtinas, kur John gjeti Krasniqin që shënoi për epërsi dhe vulosjen e rezultatit përfundimtar, për t’iu kthyer ekipi fitores pas humbjes në xhiron e kaluar.
E tentimet e Drenicës deri në fund dhe zëvendësimet e Tahir Lushtakut, përkundër tetë minutave shtesë, nuk sollën ndërrim në rezultat para se krejt në fund futbollisti i ri i Prishtinës Blerat Tolaj të qëllojë shtyllën e potrierit Mikel Kaloshi.
Fitorja, bën Prishtina që të dalë në pozitë të pestë të renditjes dhe të bëj bilansin 4-4-4 (fitore, barazime e humbje), ndërsa Drenica tashmë me humbjen e katërt, qëndron në pozitë të katërt.