CITY - DORTMUND
Shpëtimtari Foden, City fiton duelin e parë
6 April, 2021 @23:04
Ndonëse më vështirë se që parashikohej, City në fund ka arritur ta mposhtë 2-1 Dortmundin në “Etihad”, për të shkuar kështu javën tjetër në Gjermani me një epërsi të lehtë.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll 1-0, e golshënues i vetëm në këtë pjesë ishte belgu Kevin De Bruyne, që rrjetën e gjeti pas asistimit nga Riyad Mahrez në minutën e 19’.
Në fakt, gol shënuan edhe mysafirët përmes të riut anglez Jude Bellingham, por çuditërisht, goli që dukej plotësisht i rregullt, u anulua nga gjyqtari kryesor i ndeshjes.
Në pjesën e dytë, Dortmundi u mbajt mjaft mirë dhe përkundër mungesave të shumta në formacion, arriti të tregohej kundërshtar mjaft i denjë për Cityn. Gjermanët, rreth 6 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, e barazuan rezultatin përmes golit të Marco Reus, por për fatin e keq të tyre, talenti anglez Foden arriti që krejt në fund të shënojë për 2-1, gol që në fund ia siguroi fitoren Cityt.
Ndeshja kthyese mes këtyre skuadrave luhet të mërkurën e ardhshme (14 prill).