DITARI NR 12 @ EURO2016
Shpresa e fundit
Shkruan: Luan MORINA
22 June, 2016 @15:17
B-ja
Kroacia mund të ketë gjithë problemet me federatë dhe futbollin në përgjithësi, por një gjë është e sigurt. Këta futbollistë janë atdhedashës dhe patriotë më shumë se të gjithë në atë grup. Të mposhtësh Spanjën me ekipin B është goxha sukses. Perisic nuk mund të ndalej, ngjashëm edhe Pjaca, derisa ndryshimet në mbrojtje kanë qenë më të mençurat me Vrsaljkon në të majtë dhe Jedvaj në qendër. Dhe qershia mbi tortë – Kalinic në vend të Mandzukic.
Kroatët kanë ekip dhe po arrijnë të ofrojnë lojë të mirë. Do të fitonin edhe Çekinë po të kishin më shumë përqendrim dhe një plan rezervë pas largimit të Modric. Tashti janë në anën e lehtë të shortit dhe mund të arrijnë deri në gjysmëfinale pa problem.
ROTACIONI
Në anën tjetër plani i Del Bosques për tri ndeshje pa asnjë ndryshim në formacionin startues dështuan. Nuk janë spanjollët aq të përkryer. Nuk janë ekip kampioni edhe pse bëjnë një lojë të tillë. E vërtetë që në fazën preliminare ka më shumë ditë pushimi dhe kohë për tu rikuperuar, por megjithatë ka hapësirë dhe emra që mund të startojnë për këtë Spanjë.
Thjesht Spanja i ka tri kombëtare në dispozicion që janë më të mira se shumica e kombëtareve prezente në këtë kampionat. Edhe Islanda e Hungaria po bëjnë rotacion, për Zotin!
PRISHËN PUNË
Turqia kurrë nuk ka qenë më e dobët. Fitorja e mbrëmshme kurrë nuk ka qenë më jobindëse nga turqit. Por, çekët dështuan plotësisht. Ka nevojë për një rivitalizim të kësaj kombëtareje, pensionim të shumë vetave.
STERILËT
Dëshpërues ishin edhe gjermanët. Shumë më të mirë ishin me Gomezin në sulm dhe Draxlerin jashtë. Kimmich në krahun e majtë ishte budallallëk, e pa një të tillë Low nuk mund të nis ndeshjen. Gjithë ato shanse të humbura pos që na dëmtuan neve do të dëmtojnë edhe gjermanët në rrethin e dytë. Jo të gjithë janë steril në sulm sikur Irlanda Veriore.
Polonia po luan mirë, por nuk po është bindëse. Ngjashëm kundër Ukrainës, shanse e posedim, por pak gola. Pak shanse reale. Ukrainasit ishin të mirë. Por, edhe ata duhet të bëjnë një rinim të një pjese të ekipit. Rotan e Tymoschuk është koha të pensionohen.
SHPRESA E FUNDIT
Portugalia të humb, Belgjika e Italia të fitojnë. Shqipëria kështu, shkon tutje.