INCIDENTI

Foto: NTV Spor
Shtyhen ndeshjet e Superligës turke
6 April, 2015 @16:21
Takimet e xhiros së radhës në Superligën turke do të shtyhen për një javë, ka vendosur sot Federata e Futbollit të Turqisë, (TFF), pasi që ditë më parë u sulmua me armë autobusi i ekipit të Fenerbahçes.
Sulmi kishte ndodhur pas ndeshjes së Fenerbahçes me Rizesporin, kur autobusi që bartte lojtarët dhe stafin e kampionit të Turqisë, udhëtonte drejt aeroportit.
Sot në takimin e drejtuesve të futbollit turk me Ministrinë e Sportit u morr ky vendim, derisa ndeshja e sotme ndërmjet Besiktasit dhe Istanbul Basaksehirit do të zhvillohet.
Në anën tjetër, në mbledhjen e ekzekutivit të Fenerbahçes, është marrë vendim që të mos dilet më në asnjë ndeshje të Superligës, derisa të zbardhet tërësisht rasti nga drejtësia, pasi që ata nuk duan shtyerje ndeshjesh, por siguri të jetës.
Gjithashtu, mediat turke kanë bërë të ditur se sulmuesi senegalez i Fenerbahçes, Moussa Sow, ka dërguar tërë familjen e tij jashtë vendit, pasi që nuk ka siguri.
Në sulmin me armë, është plagosur vetëm shoferi i autobusit, derisa të gjithë nga stafi i ekipit të Fenerbahçes kanë dalë pa lëndime.
Fenerbahçe kishte fituar ndeshjen ndaj Rizesporit të shtunën, 5-1. Ekipi verdhekaltër nga Stambolli gjindet aktualisht në vend të dytë të tabelës së klasifikimit me 2 pikë më pak se Galatasarayi lider.
Besiktasi nëse arrin fitore ndaj Istanbul Basaksehirit sonte, do të kalojë në vend të dytë.