KOLUMNE

Si kaloi gjysmëvjetori te Manchester United?
Shkruan: LUAN MORINA
9 February, 2018 @9:00
Ardhja e Sanchezit në vend të Mkhitaryanit është biznes i mirë për ‘djajtë’. Largojnë një lojtar të pashfrytëzuar sa duhet, në një pozitë të cilën nuk e shfrytëzojnë për një lojtar që është i domosdoshëm për një pozitë që është goxha e rëndësishme për ta.
Sanchezi sjell ngritje në pozitat aq të nevojshme në krahë të Manchesterit. Martial ka talentin, por nuk ka vazhdueshmërinë e formës. Rashford nuk e ka asnjërën për mendimin tim. Lingard ka pasur disa javë të mahnitshme, por gjithnjë do të mbetet nën cilësitë e një krahu të denjë për Manchesterin.
Të padenjë për këtë ekip janë edhe më shumë se gjysma e ekipit, duke nisur nga tre çerekët e mbrojtjes. As Valencia as Young nuk janë krahë mbrojtjeje. Pa marrë parasysh nëse shënojnë nga një supergol kohë pas kohe, cilësia e tyre në këto pozita është ofenduese për Manchesterin, ngjashëm si dy qendërmbrojtësit pas Baillyt.
Është vetëm një gjysmë-ekipi kampionësh në këtë Premier League të stërmbushur me lojtarë cilësor, prandaj vera nevojitet edhe për së paku gjysmë miliardë eurosh investime. Një krah sulmi dhe dy krahë mbrojtjeje, me disa largime të nevojshme janë të domosdoshme.
Këtë gjysmë-vjetor jo pahiri Manchesteri është larg Cityt. Në fakt, janë njëjtë sikur City i vitit të kaluar, me një mbrojtje të tmerrshme. Shto kësaj edhe një sezon të kaluar të lodhshëm me pak pushim që ka nisur bajagi herët me Superkupën e Evropës, dhe kemi një Manchester United që në Premier League është duke bërë më shumë se që ka kapacitet.
Më shumë se që do e prisnim ne skeptikët dhe njohësit e njëmendtë të cilësisë së Premier League.