VATA
S’jemi për Botëror
29 March, 2013 @14:17
Ish mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Rudi Vata, njeriu i cili ka bërë karrierë edhe në Europë, në intervistën e botuar sot të përditshmes tiranase, Panorama Sport, ka thënë se është shumë heret t’i kërkohet këtij ekipi kualifikim në Kampionat Botëror.
“Gjithë historinë e vetë, Shqipëria ka qenë në vendin e fundit ose të parafundit në kualifikime dhe mos harroni që jo më larg se një vit më parë ajo u mposht nga Luksemburgu, që luan futboll sa për t’u marrë me sport,” ka thënë ndër të tjera ish kapiteni i kuqezinjëve.
Më tutje duke komentuar për ndeshjet e fundit ai ka thënë se natyrisht nëse bazohemi te këto lojë, ke të drejtën e Zotit që të besosh në këtë Shqipëri, por sinqerisht nuk jemi gati për Botëror.
“Sinqerisht nuk jemi gati për Botëror. Kujtoni Luksemburgun, përkundër se po luajmë më mirë, duhet qetësi në kombëtare, disciplinë, mbështetje dhe siguri. Nuk duhet t’i bëjmë presion ekipit drejt fitores,” ka konkluduar Vata.
Shqipëria renditet në vendin e dytë të grupit të saj kualifikues me pikë të njejta si Islanda në vendin e tretë. Lidere e grupit është Zvicra dhe deri në përcaktimin e skuadrave që shkojnë tutje, duhen zhvilluar edhe pesë ndeshje.