STADIUMI, UKRAINA-KOSOVA
Stadiumi Miejksi, zgjedhje ideale ukrainase
Editorial
23 September, 2016 @19:42
Përkundër se u përfol për një ndeshje të mundshme në Sofje të Bullgarisë, por edhe në Stamboll të Turqisë, Federata e Futbollit të Ukrainës, ka bërë zgjedhjen më të mençur për vete duke kërkuar stadiumin e Krakowit në Poloni, të cilën e zyrtarizoi FIFA sot.
Ukraina do të jetë nikoqire e Kosovës më 9 tetor, tre ditë pas ndeshjes Kosova - Kroacia.
Krakow është qytet jugor në Poloni dhe është vendi më i afërt i madh në kufi me Ukrainën.
Ndërkaq, mundësia e përfolur e Sofjes dhe e Stambollit, do të mund të ishte tepër e rrezikshme për Ukrainën, pasi që parashikohej një fluks i madh i publikut të Kosovës në këto vende, pasi që janë më afër edhe gjeografikisht, por edhe më lehtë për shkak të çështjes së vizave. (Për Bullgari, shtetasve të Kosovës nuk u duhet viza Schengen, por vetëm e Bullgarisë, ndërsa për Turqi, vizë nuk duhet fare).
Sidoqoftë, Ukraina duket se e ka studiuar mirë çështjen dhe e ka pasur parasysh këtë fakt, duke e dërguar ndeshjen në Krakow të Polonisë, që nga Berlini i Gjermanisë të detyron 5 orë ngasje të kerrit, kurse është thuajse ngjitur me veriun e Sllovakisë dhe shumë afër Ostravës së Çekisë.
Pasi që Ukraina nuk ka pranuar Kosovën si shtet, është dashur që ndeshjen ta zhvillojë jashtë kufijve të saj.
Stadiumi Miejski në Krakow është renovuar së fundi në tetor të vitit 2011 për europianin e parafundit, Ukrainë-Poloni 2012, ndërsa është stadium i kategorisë së katërt sipas standardeve të UEFA-së dhe ka kapacitet prej 33 mijë e 268 shikuesve.
Reprezentacioni i Ukrainës drejtohet nga legjenda e këtij vendi, Andriy Shevchenko. Ndërsa në duelin e parë të Grupit I kualifikues për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” ka barazuar ndaj Islandës, 1-1.