LEICESTER CITY

Stil italian apo pafuqi për më shumë?
21 March, 2016 @19:06
Skuadra që po marshon drejt titullit historik në Premier League, Leicester City, në javët e fundit ka regjistruar statistika interesante. Borozani.com
Ekipi i trajnerit Claudio Ranieri, në katër nga pesë ndeshjet e fundit, ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0.
Rezultati “1-0” dihet se është specialitet i futbollit italian, ndërsa vetë vakti që në krye të ekipit është trajneri italian Ranieri, për dikë edhe mund të quhet si koincidencë.
Fitoret me rezultat minimal janë shënuar kundër skuadrave Norwich City, Watford, Newcastle United dhe Crystal Palace, ndërsa seria është prishur vetëm në ndeshjen kundër West Bromwichit, që kishte përfunduar me barazim, 2-2.
Mirëpo një tjetër teori për këta rezultate mund të thuhet se është energjia e cila ka filluar të harxhohej te Leicesteri.
Këto fitore janë arritur kundër skuadrave të pjesës së poshtme të radhitjes tabelare dhe tani, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro para fundit, Leicesteri do të ketë punë edhe më të vështirë, pasi që përpara do të ketë rivalë më të fortë sesa këto të pesë xhirove të fundit.
Në ndeshjet e radhës, mbetet të shihet nëse rezultatet “1-0” vërtetë janë specialitet i italianit Ranieri, apo vërtetë energjia e Leicesterit ka filluar të harxhohet.
Të mos harrojmë, para këtyre ndeshjeve rezultatet e Leicesterit kanë qenë me shumë më shumë gola: 3-1 ndaj Cityt, 2-0 ndaj Liverpoolit, 3-0 ndaj Stoke Cityt, etj.