SHPËTIM IDRIZI
Superliga nis pa kapitenin e madh
18 August, 2018 @15:25
Njëri ndër lojtarët më stabil të Superligës dhe ndër të paktit që ka arritur të fitojë të gjitha trofetë në vend dhe të debutojë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve për moshën e tij, Shpëtim Idrizi, ka varur këpucët në gozhdë.
Ai është pensionuar nga futbolli aktiv, ka bërë të ditur sot Koha ditore, ndërsa mesfushori që ka një numër të konsiderueshëm të golave nga gjuajtjet e lira, do të nis punën si trajner i juniorëve në ekipin e tij Trepça’89.
Idrizi 36 vjeç largohet nga futbolli aktiv pas 17 vitesh si senior, derisa futbollin ia nisi në moshë 13 vjeçare te klubi Trepça.
Shpëtim Idrizi është njëri ndër futbollistët më të respektuar të Kosovës, derisa në karrierën e tij si senior gjithmonë ka qenë pjesë e ‘89-shit, me të cilët në stinorin 2016/17 fitoi titullin e parë të kampionit për ekipin dhe luajti në kualifikime të Ligës së Kampionëve, si ekipi i parë i Kosovës në këtë garë.