HEKURAN KRYEZIU
Të dëshmohemi për të marrë maksimumin
17 November, 2018 @11:52
Njëri ndër shtyllat e mesfushës së Kosovës, Hekuran Kryeziu, në konferencë për shtyp para ndeshjes së sotme ndaj Maltës ka thënë se ekipi duhet të dëshmohet në fushë për të marrë maksimumin.
Ai është shprehur se pa përfunduar kjo lojë, as që do të mendojnë për duelin tjetër ndaj Azerbajxhanit.
“Ne e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe jemi përqendruar maksimalisht. Vetëm pas këtij 90-minutëshi, do të mendojmë për ndeshjen me Azerbajxhanin. Bashkë me trajnerin, e kemi studiuar me kujdes Maltën dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por kemi ardhur këtu për të dhënë më të mirën, me shpresën për të marrë maksimumin”, ka thënë Kryeziu.
Kosova me fitore sonte dhe në rast të barazimit të Azerbajxhanit në duelin tjetër të Grupit 3 të Ligës D, do të siguronte kualifikimin për në Ligën C të Kombeve.
Në të njëjtën kohë, kjo do t’i ipte mundësi shtesë Kosovës për kualifikimin për në EURO 2020.