RIVALI
Terim provon formacionin 4-3-3 në stërvitjen e sotme
8 November, 2016 @21:25
Kundërshtarja e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror, Turqia, me të cilën do të luahet më 12 nëntor në Antalya, sot zhvilloi seancën e dytë stërvitore në prag të përgatitjeve për ndeshjen me Kosovën.
Në stërvitjen e sotme, përzgjedhësi Fatih Terim u përkushtua në veçanti te loja taktike, duke e ndërprerë shpesh herë stërvitjen për t’i dhënë udhëzimet e tija, ndërsa para stërvitjes organizoi edhe një mbledhje të shkurtë me futbollistët.
Dy lojtarë të ekipit turk, mesfushori ofansiv i Fenerbahçes, Volkan Sen dhe bashkëlojtari i Bersant Celinës në Twente, Enes Unal, zhvilluan stërvitje të veçantë për shkak të dhimbjeve të lehta trupore.
Terim sot provoi formacionin 4-3-3, me të cilin pritet të luajë në ndeshjen me Kosovën.
Tekniku turk në mbrojtje e provoi katërshen Gokhan Gonul, Yalcin Ayhan, Mehmet Topal, Hasan Ali Kaldirim, kurse në mesfushë futbollistët Tolga Cigerci, Oguzhan Ozyakup dhe Selcuk Inan. Sulmin ia besoi futbollistit Burak Yilmaz, i ndihmuar nga dy lojtarët më të mirë aktual të skuadrës, Arda Turan dhe Hakan Calhanoglu.
Terim nga futbollistët e tij kërkoi që organizimi i sulmeve të fillojë nga qendra, për të vazhduar më pas tek krahët.
Nga lista e publikuar e Turqisë më 5 nëntor, deri më tani janë bërë dy ndryshime për shkak të lëndimeve, pasi që janë larguar mbrojtësi Omer Toprak dhe portieri Onur Kivrak. Ky i fundit u zëvendësua nga portieri i Kayserisporit, Muammer Yildirim.