EKSKLUZIVE

REUTERS/Exclusive/File Photo
Thëngjilli karshi birrës
Shkrim ekskluziv për Borozani.com nga Blerim Myftiu, para finales së Ligës së Kampionëve. Përjetoni finalen nga një këndvështrim tjetër.
25 May, 2013 @10:05
Ngjyra e kuqe është ngjyra e ngjyrave. Është ngjyrë e dashurisë dhe e epshit, e joshjes, “molla e ndaluar” spekulohet se ka qenë e kuqe. Është vetë gjaku, simbol i sakrificës, arsye që shumë shtete të botës kanë të kuqen në flamujt e tyre. Ngjyra e kuqe është e veçantë, siç thotë Floriani i vogël. Njëherësh, është ngjyrë e supremacisë dhe e tendencës për t’i dhënë peshë karakterit, identitetit, idesë, pushtimit.
Rekorderët
Kaq supremat është Bayerni – fitues i 22 titujve të kampionit në 50 stinorët e Bundesligës. Rekorder po ashtu në numrin e kupave dhe superkupave të fituar në Gjermani. Klubi gjerman që ka fituar të tria kupat evropiane dhe atë interkontinentale. Në Gjermani, gjatë viteve të kaluara, kanë ndryshuar vetëm rivalët e tij. Dikur kanë qenë 1. FC Nuremberg, FC Köln, Borussia Mönchengladbach e Hamburger SV; në kohët më të reja SV Werder Bremen dhe FC Schalke 04, aty-këtu Bayer Leverkusen; sot është Borussia Dortmund. Mirëpo Bayerni, përjashto ca zbatica të vogla dhe të kohëpaskohshme, ka qenë gjithmonë në maje.
...Bayerni, përjashto ca zbatica të vogla dhe të kohëpaskohshme, ka qenë gjithmonë në maje.
Simbol i motorit të pashterur gjerman, promotor dhe ushqyes i kombëtares gjermane – që prej treshes bosht Meier-Beckenbauer-Müller në 70-tat, Breitner e Rumenigge (Breitnigge) në fillim, si edhe Matthäus e Effenberg në fund të 80-ve. Panceri kataklizmik i cili la së fundi gjurmë në kurrizin e katalonasve.
Megalomanët
Megalomania e Bayernit (si klub dhe land) arrin përmasën që kundërshtarëve t’ua shkëput edhe lulet që sapo bulëzojnë. Çekani bavarez godet mbi secilin klub që arrin të prodhojë ndonjë talent. Qoftë ta mbajë në stol, qëllimi i Bayernit është që mos t’ia lë kundërshtarit të jetë konkurrent për së afërmi me të. Si të shpjegohen ndryshe diferencat kaq të më mëdha në pikë në stinorët kur Bayerni shpallet kampion? Borussia prodhon dhe kultivon Götzen, por Bayerni nuk pyet për shumën e të hollave që duhet të paguajë. Shfrytëzon klauzolën, pa i lënë vend dykuptimësisë ligjore, por duke i vënë gjithmonë në pikëpyetje vlerat etike, me 37 milionë euro arrin ta gjymtojë Dortmundin, madje dy ditë para revanshit gjysmëfinal të tij në Champions? Lewandowski ka hyrë në rrugën e të parit dhe është pyetje çasti kur do t’i përforcojë bavarezët?! Nuk ia kishin bërë të njëjtin Stutgartit para disa stinorësh duke ua marrë Gomezin? Nuk ua kishin marrë pikërisht Dortmundit trajnerin Hitzfeld me të fituar ky i fundit Ligën e Kampionëve në 1997 me Borussian? Nuk kishin ardhur Matthäus dhe Effenberg nga Mönchengladbachu, kur ky ishe në maje të futbollit gjerman para 25 vitesh?
Çekani bavarez godet mbi secilin klub që arrin të prodhojë ndonjë talent.
I lavdishëm në fillim të shekullit të kaluar kur u themelua, fitues i disahershëm i titujve në ligën e atëhershme gjermano-jugore, i etiketuar në kohën e nazizmit si “klub hebre” dhe rrjedhimisht pa suksese sportive në të 30-at dhe 40-at, i pazgjedhur për stinorin e parë premier të Bundesligës më 1963 (në vend të tij u mor TSV 1860 München), i futur në elitë pas dy stinorësh, 4 herë kampion i Evropës, 9 herë i Gjermanisë në 15 vitet e fundit, humbësi i pafat i finales së vjetme, 3 herë finalist i evrofinales në katër stinorët e fundit.
Fuqia financiare
Bayerni duket si ndërmarrje kapitaliste, sipas dikujt ndoshta edhe e egër, e cila punon sipas logjikës: “Unë jam i pasur, kam para. Dua të blej më të mirën e gjithçkaje në botë. Kush është talenti më i madh në Gjermani? Götze! Do ta blej atë. Është ndokush tjetër në treg? Lewandowski? E dua edhe atë.” Për klubin, ardhurat e të të cilit vjet kanë qenë rreth 368 milionë euro, nuk parashtrohet pyetja e shumës së të hollave që duhet paguar. Produkti duhet të jetë i tij, qëllimi i vetëm qoftë edhe dëmtimi i kundërshtarit.
Trajneri i Dortmundit, Jürgen Klopp, në intervistën e para disa ditëve për “The Guardian” u shpreh: “Bayerni kërkon një dekadë të suksesshme si Barcelona. Është në rregull, po të keni para. Sepse, kjo i shton gjasat për sukses. Por, suksesi nuk është i garantuar. Ne nuk jemi supermarket. Por, ata i donë futbollistët tanë, sepse dinë se ne nuk mund t’i paguajmë po aq sa ta. Të menduarit si Reali apo Barcelona, mosçarja e kokës për tatime dhe lënia brezave të ardhshëm që t’i zgjidhin problemet nuk është mënyra jonë e të menduarit.”
“...Bayerni kërkon një dekadë të suksesshme si Barcelona…mosçarja e kokës për tatime dhe lënia brezave të ardhshëm që t’i zgjidhin problemet nuk është mënyra jonë e të menduarit.” — Jürgen Klopp
Kloppi reflekton domosdoshmërish filozofinë e rajonit në të cilin lokalizohet klubi në stolin e të cilit momentalisht qëndron. Në vetëm 4.4 kilometra katrorë të zonës së Ruhrit banojnë më shumë se 5 milionë banorë. Në atë zonë janë të lokalizuar minierat më të mëdha dhe industria e rëndë gjermane. Klasa punëtore ka qenë ajo që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar i ka dhënë ngjyrë, jehonë dhe karakter jo vetëm Dortmundit, por edhe rivalit të tij kryesor lokal, FC Schalke 04, si edhe të atyre që tanimë ndodhen në ligat më të ulëta (MSV Duisburg, VfL Bochum, Essen), por që distanca ndërmjet këtyre qyteteve është distancë e disa stacioneve tramvaji apo metroje.
Epoka e artë
Dy titujt e fituar rresht në Bundesligë më 1995 dhe 1996, të kurorëzuar me atë të më të madhit në Evropë më 1997 shënonte epokën e artë të Dortmundit të udhëhequr nga Sammer, Möller, Riedle, Ricken… Kriza e madhe financiare e klubit që e kishte sjellë atë buzë falimentimit nga mesi i dekadës së kaluar, vendosmëria e klubit për të nxjerrë leksione nga paratë e hedhura rrugëve pas euforisë së suksesit në të 90-at ishin bërë shkas i “shtrëngimit të rripit” që paraqiste uverturë për një epokë të re. Jo më me yje të kalitur dhe të llastuar.
Klopp
Kloppi dhe Borussia më 2008 ishin pak a shumë kokëpërkulur. E dyta për shkak të situatës së lartpërshkruar. I pari ishte ndarë pas dështimit me Mainzin (në të cilin si lojtar dhe trajner kishte kaluar 19 vite) dhe para vetes qëndronte rruga a) përpjetë, drejt krijimit të emrit/filozofisë (që u dëshmua tanimë se u arrit) apo b) tatëpjetë, ku përfundonin shumë trajnerë emri i të cilëve nuk dëgjohej më. Para se të nënshkruante me Borussian, Kloppi pohon se ka qenë i kontaktuar edhe nga kryetari i Bayernit, Uli Hoeneß, dhe klubi verior Hamburger SV. Bayerni hoqi dorë ndoshta se nuk e kishte guximin që ekipin t’ia linte amanet një trajneri që vinte nga divizioni i dytë, kurse Hamburgu ngase Kloppi nuk mbante kravatë dhe lojtarët në Mainz e quanin Kloppo (sipas Hamburgut, kjo ishte shenjë se Kloppi nuk kishte autoritet mbi ekipin). “Deri para disa ditësh i kisha bashkëlojtarë. Kurse ditën tjetër më bënë trajner. Prisnit prej bashkëlojtarëve të deridjeshëm të më drejtoheshin me ‘sër’?”, pyetet Kloppi.
Qyteti bashkëjeton me ekipin. Ngjyrat burojnë nga “thëngjilli i zi dhe birra e verdhë”
“Muri i verdhë i jugut” ku në këmbë mund të qëndrojnë mbi 20 mijë tifozë, stadiumi i stërshitur deri në ulësen e fundit për çdo ndeshje, madje që në fillim të stinorit (82 mijë), mesatarja më e lartë e shikueshmërisë pas Manchester Unitedit, janë goxha faktorë shtytës për një skuadër të re në moshë, loja e së cilës karakterizohet me pasime të shpejta, vrapime, mbulim të çdo cope fushe. Qyteti bashkëjeton me ekipin. Ngjyrat burojnë nga “thëngjilli i zi dhe birra e verdhë”. Fjalët e Kloppit shpjegojnë forcën mentale pas suksesit: “Unë nuk ua lëshoj lojtarëve kasetat me ndeshjet e Barcelonës. Ne nuk mund të luajmë si ajo. Ne mund të luajmë sipas filozofisë sonë. Lojtarëve ua lëshoj të shohin gëzimin e futbollistëve të Barcelonës pas secilit gol të shënuar. Edhe pse shënojnë ndoshta për të 5868-n herë, gëzimi i tyre është sikur ta shënojnë të parin gol. Kjo është ajo që duhet të ndjeni – derisa të vdisni.”
Jupp
Më i kalituri, Jupp Heynckes, kërkon të shtunën mbrëma titullin e dytë të Ligës së kampionëve pas atij të fituar më 1998 me mbretërit e Madridit. E ardhmja e tij parashihet të jetë sërish në Real Madrid, për një epokë të dytë. Bayerni, edhe pse nga klubet gjermane ka më së shumti trofe në Ligën e kampionëve (4), është mposhtur 5 herë në 6 finalet e fundit që prej vitit 1980. Borussia Dortmund është ekipi i parë gjerman që ka fituar trofe në Evropë – atë të Kupës së fituesve të kupave (që është shkrirë në Ligën e Evropës) në stinorin 1965-66.
Finalja e së shtunës është e para përballje e dy skuadrave gjermane në finalen e Champions League. Pas finaleve spanjolle (Real – Valencia 3:0, 2000), italiane (Milan – Juventus 3:2, 2003) dhe angleze (Manchester United – Chelsea 6:5, 2008), radhën e ka finalja gjermane. Në tri përballje të mëhershme brenda-shtetërore, fitues kanë dalë ekipet që kanë pasur më shumë trofe evropianë se kundërshtari. Prandaj, statistika është në favor të Bayernit.
Londra do të japë verdiktin (për të shtatën herë gjithsej – pas 1963, 1968, 1971, 1978, 1992, 2011) nëse do të fitojë mentaliteti industrial futbollistik “blej, copëto, fito” karshi rrëfimit romantik të “proletarëve” të futbollit nga Ruhri! Para dy jave, në finalen e Ligës basketbollistike të kampionëve, kishte dalë fitimtare kjo e dyta!
(Të drejtat e këtij shkrimi i mban autori dhe Borozani.com)