AFRIM TOVËRLANI
Tovërlani: Nuk janë fajtorë ekipet që nuk shënuan
30 November, 2016 @15:30
Kryetrajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, pas ndeshjes me Prishtinën ka folur në lidhje me barazimin pa gola. Tovërlani ka vlerësuar se fajtor i mos shënimit të golit ishte fusha e papërshtatshme.
“Mendoj që nuk janë fajtor ekipet që nuk shënuan, pasi që ndeshja u luajt në një fushë që nuk mundëson të luhet një lojë. Mendoj që për një nuancë ishim pak më të mirë se Prishtina. Kemi krijuar diçka pak më shumë, sepse raste nuk ka pasur as njëra as tjetra nga loja. Angazhimi ka qenë maksimal. Me rëndësi është që nuk e humbëm ndeshjen dhe prap jemi në krye të tabelës dhe vjen pranvera ku duhet të stabilizohemi në mënyra të tjera,” tha tekniku i Niklit në intervistën e tij për kanalin televiziv transmetues të ndeshjes, Supersport.
Ai më tej bëri edhe një përmbledhje të pjesës vjeshtore të kampionatit, për të cilën shprehu pakënaqësinë për shkak të lëndimeve dhe kartonëve të paarsyshëm sipas tij.
“Nuk jam i kënaqur me këtë që kemi arritur. Kemi mundur të bëjmë më tepër, mirëpo kemi qenë të dëmtuar shkaku i lëndimeve në disa ndeshje të futbollistëve kryesorë. Ndoshta në ndonjë ndeshje ka pasur edhe kartona të kuq të paarsyeshëm, mirëpo ky është futbolli dhe kjo është ajo që është,” përfundoi Tovërlani.