AFRIM TOVËRLANI
Tovërlani: S’ka lidhje a do të jemi të parët në vjeshtë
28 October, 2016 @16:35
Feronikeli ka shënuar fitoren e pestë rresht në Superligë, duke e mposhtur sot Hajvalinë me rezultat 3-2, ndërsa kjo ecuri e ka ngritur klubin nga Drenasi së paku përkohësisht në pozitën e dytë të radhitjes tabelare.
Pas ndeshjes me Hajvalinë, trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani, pranoi se ishte shumë i nervozuar sidomos në pjesën e parë për shkak të gabimeve, ku skuadra e tij pësoi dy gola, ndërsa ndjehet i lumtur për tre pikët e fituara.
“Pranuam dy gola në mënyrë shumë naive në pjesën e parë, me ç‘rast edhe u bëra shumë nervoz. Një skuadër që lufton për titull kampioni nuk guxon të bëjë gabime të tilla. Por për fund, është mirë që fituam tre pikë dhe jam i lumtur për këtë. Hajvalia me gjithëse është në fund të tabelës, nuk mund të nënvlerësohet. Kjo ka qenë një ndeshje me rëndësi të madhe për ne. Ndërsa ndeshja e radhës do të jetë edhe më e rëndësishme,” tha ai.
Më tej, i pyetur nëse synimi i Feronikelit është që ta përfundojë stinorin vjeshtor në krye të radhitjes tabelare, Tovërlani tha:
“Nuk është me rëndësi nëse në vjeshtë përfundojmë të parët ose jo. Nuk kemi presion për këtë. Për këtë periudhë e rëndësishme është që kundërshtarët të mos krijojnë dallim të madh në pikë dhe edhe më e rëndësishme është që në fund të kampionatit të jemi ne në vend të parë.”