TREPÇA - DRENICA

Trepça mposht Drenicën, shpreson në mbijetesë
30 April, 2017 @16:48
Me rezultat 2-1 është mbyllur takimi mes Trepçës e Drenicës në ‘Adem Jashari’ të Mitrovicës, rezultat i cili i jep shpresë ‘xehetarëve’ në luftën për mbijetesë.
Rasti i parë i ndeshjes u paraqit për Ergyn Ahmetin e vendasve, i cili i vetmuar me portierin mysafir nuk arriti të shënoj. Më pas, raste për shënim pat edhe Drenica, kryesisht përmes Kreshnik Ukës. Ishte pikërisht Uka ai që i dha epërsinë mysafirëve në minutën e 39’ të takimit, kur pas asistimit të Gashit, e parabolloi portierin vendas dhe shënoi për 0-1.
Përmbysja mitrovicase erdhi në pjesën e dytë. Me të filluar 45 minutëshi i dytë, i zakonshmi Enis Zabërgja i shërbyer nga Adnan Muja e barazoi rezultatin 1-1. Vendimtar në golin e dytë dhe në përmbysjen e rezultatit ishte përsëri Zabërgja, i cili asistoi në mënyrë perfekte te Ergyn Ahmeti i cili shënoi për 2-1, gol i cili doli të ishte përcaktues i skuadrës fituese në fund.
Përkundër fitores, Trepça edhe më tutje ndodhet e parafundit në renditje, mirëpo fitorja e sotme i jep një shpresë për ta arritur zonën play-out. Në anën tjetër, Drenica mbetet në vendin e shtatë.