GARA E RE EKIPORE E UEFAsë
UEFA aprovoi Europa League 2
6 December, 2018 @23:11
Ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-së ka aprovuar krijimin e garës së re ekipore të UEFA-së për ciklin 2021-2024.
Emri zyrtar ende nuk i është vendosur, por në planin e qasjes në garë në dokumentet zyrtare të UEFA-së është shkruar Europa League 2.
Gara e re, do të shkojë paralelisht me Ligën e Kampionëve dhe Europa Ligën dhe do të përmbajë 32 ekipe pjesëmarrëse në fazën grupore, për të cilat do të ketë gjithashtu kualifikime.
Europa Liga 2 do të ketë 141 ndeshje në 15 javë, njëjtë sikurse Europa Liga aktuale.
Fituesi i garës do të fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League stinorin e ardhshëm.
“Gara e re ekipore e UEFA-së do t’i mundësojë qasje më të madhe ekipeve sesa më parë. Do të ketë më shumë ndeshje për më shumë klube, si dhe më shumë Federata do të marrin pjesë në faza grupore. Kjo garë lindi pas dialogut me Shoqatën e klubeve evropiane,” ka thënë kreu i UEFA-së, Aleksandar Ceferin.
Në njoftimin e UEFA-së theksohet se asnjë ndërrim nuk do të bëhet në Ligë të Kampionëve dhe ajo do të qëndrojë si është tash edhe për 5 vitet e ardhshme.
Finalet e tre garave evropiane do të luhen në të njëjtën javë. Finalja e Europa Liga 2-shit, të mërkurën; e Europa Ligës, të enjten; ndërsa të shtunën e Ligës së Kampionëve.
Gjatë vitit 2019 do të qartësohet plani i veprimit dhe gjithçka tjetër lidhur me garën e re ekipore të UEFA-së, ka bërë të ditur faqja zyrtare e shtëpisë evropiane të futbollit, që pritet të jetë një dritare e re mundësie për ekipet e vendit tonë.