NË DISIPLINORE

Fotot: FSHF
UEFA ‘dënon’ Francën për gabimet ndaj himnit shqiptar
14 September, 2019 @21:10
Sipas një raporti të shkruar nga L’Equipe, Federata e Futbollit të Francës (FFF) pritet të dënohet nga UEFA, për shkak të lëshimit në himnin e Shqipërisë, para ndeshjes Franca-Shqipëria, në kuadër të kualifikimeve për EURO2020.
Ndeshja ishte vonuar që të fillonte për 7 minuta pasi që futbollistët e Shqipërisë kishin refuzuar të nisnin ndeshjen pa u përmirësuar gabimi, ndërsa për të qenë situata edhe më keq për francezët, folësi në stadium, kishte thënë “kërkojmë falje nga Armenia”.
Para ndeshjes, në vend të himnit të Shqipërisë, ishte lëshuar himni i Andorrës. Ndërsa pasi që u morrën masat për tu lëshuar himni i Shqipërisë, folësi tha kërkojmë falje për intonimin e himnit të Andorrës përfaqësueses armene!
“Vonesa e fillimit të ndeshjes sanksionohet nga UEFA-ja dhe për këtë, sipas burimeve tona, mësojmë se Komiteti Disiplinor i UEFA-së ka futur FFF-në në procedurë,” ka shkruar L’Equipe.
E kjo vonesë, sipas rregulloreve të UEFA-së ndëshkohet me “vërejtje të fundit” ose me gjobë prej 10 mijë eurove. Ndërsa për dënimin ndaj FFF-së do të vendoset më 17 tetor, kur mbahet takimi i KD-së së UEFA-së.