PAS VIZITËS NËSTADIUM
UEFA kërkon angazhim të madh për stadiumin e Prishtinës
21 June, 2018 @10:56
Zyrtarët e UEFA-së që vizituan në ditët e kaluara stadiumin e Prishtinës, për të inspektuar rrjedhën e punimeve dhe të kuptojnë se a do të bëhet gati deri në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve - kanë kërkuar angazhim më të madh, si nga FFK ashtu edhe nga MKRS.
Këtë njoftim e ka bërë të ditur vetë FFK-ja, përmes komunikatës së lëshuar në faqen zyrtare ku ka treguar për mbarëvajtjen e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, që u drejtua nga zv. kryetari i shtëpisë së futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Të martën krerët e FFK-së u takuan me zyrtarë dhe inspektorë të UEFA-së, të cilët vizituan stadiumin e Prishtinës ku shfaqen shqetësimet e tyre për rrjedhën e punimeve duke sugjeruar një angazhim më të madh të FFK-së, MKRS dhe punëkryerësit në mënyrë që punimet të përfundojnë sa më parë,” ka shkruar njoftimi i FFK-së.
“KE bisedoi se duhet të vazhdohet me fillimin e implementimit të projekteve të ndërtimit të 12 fushave si dhe Qendrën teknik stërvitore në Obiliq. KE gjithsesi mendon se top prioritet edhe më tutje mbetet rinovimi i stadiumit të Prishtinës si domosdoshmëri për ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kombeve të Kombëtares “A”,” ka përfunduar njoftimi në fjalë.
Përndryshe, Kosova bën pjesë në Ligën D të Ligës së Kombeve dhe është në grupin D3. Kundërshtarë të Kosovës, në garën e re për përfaqësueses europaine të UEFA-së, janë Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta.
Kosova ndeshjen e parë do ta zhvillojë ndaj Azerbajxhanit si mysafir me 7 shtator, ndërsa ndeshja tjetër me radhë është ajo ndaj Ishujve Faroe që luhet me Ishujt Faroe si vendas.
E ku do të luajë Kosova ndeshjen si vendas, ende nuk dihet. UEFA-ja kërkon që stadiumi të bëhet gati në Prishtinë, për të dhënë leje për zhvillim të ndeshjeve.
Sa i përket Kosovës, kampanja e parë kualifikuese e reprezentacionit drejt Rusisë 2018, ndeshjet si vendas i zhvilloi në Loro Boriçi të Shkodrës.