DITARI NR. 9 @ EURO2016
Veç 2
Shkruan: Luan MORINA
19 June, 2016 @8:50
ERDH FITORJA
Wilmots ende ishte trajner i Belgjikës sot, por aty nuk ishte Fellaini dhe Ciman në krah. Derisa i pari kishte qenë hallka më e dobët kundër italianëve. Sot gjërat ishin më ndryshe. Problem ishte deri tek thyerja e baraspeshës fillestare dhe pastaj gjithçka ishte në ngjyrat e Belgjikës.
Megjithatë belgët nuk treguan krejt atë që mendoj se janë në gjendje të shfaqin. Po, këta lojtarë kanë kapacitet të bëjnë edhe më shumë se çfarë bën kundër irlandezëve. Ndeshja e ardhshme kundër suedezëve do të duhej të kalonte në të njëjtën frymë dhe pozita e dytë në grup s’do të ishte tragjike kur e dimë që mund të takohen me Hungarinë apo ndoshta edhe Portugalinë.
3 BARAZIME
E Portugalia mund të fitonte. Duhej të fitonte, por le të themi që Cristiano Ronaldo ishte i pafat. Dhe që trajneri bëri zgjedhje të gabuara në fushë. Dhe që janë në ndërrim gjeneratash. Fitoren e merituan, por nuk erdhi. Besoj që e kalojnë grupin pasi me disa ndryshime në fushë – zhvendosja e Ronaldos në krahë dhe angazhimi i Ederit, edhe pse nuk është 9shi më i mirë portugez, mund të bëhen më të rrezikshëm për hungarezët. Edhe me barazim do të kalonin grupin pasi shumica e ekipeve që do të kenë 3 pikë do të kenë golaverazh negativ.
Hungarezët shpëtuan në fund. Merituan një pikë, së paku për presionin e minutave të fundit. Janë ekip simpatik, por Kiraly do ti eliminoj dosido. Nuk ishte lojë siç e prisja me islandezët. Pjesa e dytë u gjallërua më shumë dhe ishte më atraktive. Interesante po bëhen këto ndeshje kur të dy kundërshtarët po vlerësohen si të barabartë dhe nuk po kanë frikë njëri-tjetrin. Kjo po lejon më shumë atraktivitet dhe më pak kalkulime.
VEÇ 2
Kalkulimet do të jenë të nevojshëm për të llogaritur kalimin eventual të Shqipërisë në rrethin e dytë. Besoj që me 2-0, pothuajse 70% kemi të sigurt vendin në rrethin e dytë. Dy gola epërsi, asgjë më shumë nuk na duhet. Por, edhe nëse nuk ndodh kjo, mjafton një paraqitje e bukur - sikur ajo me Francën për të duartrokitur këtë ekip. Kukeli mungon dhe Cana kthehet. Do të ishte mirë ta provonim Canën në pozitën e tij, pozitë me të cilën është goxha i mësuar.
Gjithashtu na nevojitet largimi i Sadikut, dhe angazhimi i dikujt më ofensiv në krahun e djathtë. Balaj e Gashi pasi Cikalleshi nuk ishte aq i mirë për ata pak minuta sa ka kaluar në terren.
Ndërkohë s’besoj që dikush nga ne do të ketë kohë për Francën dhe Zvicrën.