NË GJAKOVË
Vëllaznimi emëron Mulën trajner
18 April, 2019 @11:57
Ende pa u bërë 24 orë nga largimi i Ismet Munishit prej detyrës së trajnerit të Vëllaznimit pas humbjes katastrofale nga Trepça’89 në gjysmëfinale të Kupës, Vëllaznimi ka emëruar trajnerin e ri të skuadrës.
Njoftimi zyrtar i klubit botuar para pak çastesh në llogarinë e Facebookut të ekipit kuqezi nga Gjakova bën të ditur se kryesia e klubit ka emëruar Blerim Mulën trajner për vazhdim të stinorit.
Shiko: TABELA e LIGËS SË PARË
“Blerim Mula do të udhëheq skuadrën deri në fund të stinorit, ndërsa bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të jenë ata që ishin edhe të Munishit,” ka bërë të ditur ndër të tjera njoftimi.
Vëllaznimi dje u mposht nga Trepça’89 0-4 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe vetëm ndonjë mrekulli mund t’i çojë ata në finale.
Shiko: SKEMA e KUPËS SË KOSOVËS
Ky ishte edhe shkaku i dorëheqjes së Munishit nga posti i trajnerit. Në anën tjetër, gjakovarët aktualisht janë në pozitën e katërt të renditjes tabelare në Ligë të Parë të Kosovës dhe presin të sigurojnë së paku barazhin për Superligë. Por, kanë edhe gjasa teorike për të shkuar direkt në Superligë, pasi që janë 6 pikë prapa Besës që është e dyta, 6 xhiro para fundit të stinorit.
Mula 60 vjeç pritet të debutojë në bankën e Vëllaznimit si mysafir në Pozharan ndaj Vllaznisë në xhiron e radhës, të XXV në Ligë të Parë.
Përndryshe Mula që gjatë karrierës së tij ka luajtur në ligën turke të futbollit, ku më pas edhe ka drejtuar skuadra të ligave të ulëta, pritet të sjellë përvojë të re te ekipi gjakovar.
Mula ka drejtuar të rinjtë e Sakaryasporit, pastaj Adapazarispor, Sancaktepe dhe së fundi përsëri Adapazarispor.