MË I MIRI I PREMIER LIGËS 18/19
VVD futbollisti i sezonit në Premier Ligë
29 April, 2019 @13:31
Qendërmbrojtësi holandez i Liverpoolit, Virgil Van Dijk është përzgjedhur lojtari më i mirë i sezonit 2018/19 në Premier Ligë të Anglisë nga Shoqata e Futbollistëve Profesionist (PFA).
Holandezi 27 vjeç, që në Liverpool erdhi nga Southamptoni, ka mposhtur në këtë garë futbollistët tjerë të nominuar Raheem Sterling, Bernardo Silva, Sergio Aguero, Sadio Mane dhe Eden Hazard.
Sterling në ndërkohë ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të ri të sezonit.
Liverpool në 36 xhirot e zhvilluara deri tash në 19 ndeshje nuk ka pranuar gol, që e bën Van Dijkun më të merituar për këtë trofe.
“Një nder i veçantë është të votohesh nga futbollistët ndaj të cilëve luan çdo fundjavë. Kjo është diçka speciale, jam tejet krenar dhe i nderuar që e pranoj këtë çmim,” ka thënë Van Dijk, shkruan BBC Sport sot.
Përndryshe Van Dijk ka fituar edhe çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit edhe nga lexuesit dhe analistët e BBC Sports duke marrë 56% të votave.
I fundit që e ka fituar këtë çmim prej mbrojtësve është Vincent Kompany i Manchester Cityt në sezonin 2011/12.
Ky çmim ipet prej sezonit 1994/95 dhe fitues i parë i këtij çmimi është Alan Shearer me Blackburn Roversin.