GOAL
Wenger: Jemi shumë aktiv në treg
23 July, 2016 @10:09
Pas barazimit të djeshëm ndaj Lensit (1-1) që bën pjesë në Ligue 2 të Francës, Arsene Wenger ka thënë se ekipi i tij është shumë aktiv në tregun e lojtarëve ku po shikojnë përforcime të duhura.
Natyrisht, Lens është para fillimit të stinorit dhe lojtarët kanë hyrë në frymë të stinorit të ri, derisa Wenger si shpeshherë eksperimentoi me skuadrën.
Vetëm Calum Chambers dhe Francis Coquelin kanë qëndruar për 90 minuta në fushë, derisa të gjithë të tjerët janë zëvendësuar ose kanë hyrë si zëvendësues.
Përforcimi më i bujshëm i ekipit për stinorin e ri deri tani, Granit Xhaka, nuk ka qenë pjesë e ekipit fare.
Ndërkaq mediat britanike nuk e kanë lënë Wengerin pa pyetje të rëndësishme para fillimit të stinorit të ri në Angli, për të cilin kanë mbetur edhe 3 javë.
“Nuk dua të dalë me emra, pasi që, nëse nuk i marrin, njerëzit pyesin pse s’arritët t’i merrni. Jemi aktiv. Bile, jemi shumë aktiv në treg dhe ende nuk ka përfunduar asgjë. Sot (dje) është data 22 korrik, ndërsa pazari veror përfundon më 31 gusht. E dini shumë mirë që gjithçka mund të ndodh deri në fund, posaçërisht në javën e fundit të afatit dhe deri aty ka mjaft kohë. Sidoqoftë, ne jemi shumë aktiv në treg dhe po punojmë,” ka thënë Wenger, njofton Goal.com sot.
“Edhe diçka… Deri tani ne jemi ekipi që kemi shpenzuar më së shumti në Angli. Vetëm nëse Paul Pogba vjen nga Italia në Angli, gjërat mund të ndryshojnë...,” ka shtuar trajneri francez i Arsenalit.
Ajo që lë të kuptohet Wenger është se Arsenal është duke shikuar edhe një përforcim cilësor në ekip. Pas Granit Xhakës, që konsiderohet transferim i nevojshëm dhe i bujshëm, çifti i Takuma Asano dhe Rob Holding, nuk i mbushin sy mediave.
Arsenal pritet që të shpërthejë gjatë gushtit me edhe një përforcim shumë-milionësh. E deri atëherë, pritet të shihet se çka do të zbulojë Wenger.