5 PËR VIKEND
4 superderbi evropianë dhe 1 latin
Shkruan: Luan Morina
9 November, 2018 @14:13
Katër super-derbi nga ligat evropiane dhe një tjetër që vjen nga Argjentina e largët për t’u kënaqur këtë fundjavë me futboll.
Sheffield United – Sheffield Wednesday (e premte, ora 15n9)
Nuk ka qenë vjeshtë e mirë deri tani për Atdhe Nuhiun deri tani në Championship. Ka po aq gola sa kartonë të kuq – një. Kjo shifër është për 10 gola më pak se që kishte sezonin e kaluar në Championship. Por, as vjeshta e kaluar nuk ishte kohë e mirë për të.
Vjeshta e kaluar ishte hera e parë pas 5 viteve kur derbi i Sheffieldit zhvillohej në një ligë angleze. United fitoi si mysafir i Wednesday, gjersa si vendas luajtën pa gola. Atmosfera e ndeshjeve lokale është ndër anët më të bukura të popullit anglez. E ky duel, është i pasuruar edhe me paraqitjen eventuale të sulmuesit të Kosovës, Atdhe Nuhiut.
Dortmund – Bayern (e shtunë, ora 6e30)
Në tri ndeshjet e fundit si mysafire, Borussia kundër Bayernit ka pësuar 15 gola! Si vendase, ka pësuar tre karshi dy golave të shënuar, me një fitoreje të ardhur me golin e Aubameyangut para dy viteve. Gjersa tek ai Bayern mungojnë vetëm Alonso dhe Lahm këtë të shtunë, pos portierit dhe krahëve të mbrojtjes, në fushë do të ketë një formacion krejt të ri. Dhe ky formacion ka marrë formën këtë vit me Reus i cili preferohet si qendërsulmues në Bundesliga, me Brun-Larsen e Sancho në krahë – që të dy rezerva vitin e kaluar!
Në fakt, Lucien Favre në rolin e pllejmejkerit nëse nuk vendos Marco Reus, angazhon Gotzen, me Pacon që zhvendoset në bankën rezervë. Se çfarë formacioni do të përdorë kundër Bayernit, strategu që ka këndellur Dortmundin këtë sezon mbetet një enigmë, ngjashëm si vendosja e Kovacit i cili është padyshim ai që vjen me presion në këtë ndeshje, e cila në fund mund ta shoh Bayernin edhe shtatë pikë larg Dortmundit. Por, edhe mund ta afrojë vetëm në 1 pikë tek kreu!
Boca Juniors – River Plate (e shtunë, ora 9)
Është hera e parë që superclasico do të vendos kampionin ekipor të Amerikës Jugore. Në tri përballjet këtë vit, në të tria River Plate ka shënuar fitore, dhe atë pa pësuar asnjë gol derisa ka shënuar pesë. Në ndeshjen e fundit në Superligën argjentinase, ishin golat e Scccos dhe Martinezit që përcaktuan rezultatin. Ky i fundit është talenti më i madh i ekipit të River Plate, bashkë me Martinezin tjetër, Lucasin. Nga emrat tek mysafirët e ndeshjes së parë finale të Copa Libertadores veçohet edhe Juan Quintero të cilin mund ta kujtojmë nga Kupa e Botës me Kolumbinë.
Në anën tjetër, përkundër talenteve si Nahuan Nandez, Wilmar Barrios, dhe më i njohuri – Cristian Pavon; dhe përvojës së Carlos Tevezit e Maruo Zarates, Boca Juniors nuk kanë gjetur fitoren ndaj River Plate këtë vit. A do ta gjejnë në ndeshjet më të rëndësishme të vitit, do të mësojmë pas ndeshjes së dytë më 24 nëntor.
Manchester City – Manchester United (e diel, ora 5e30)
Në tri ndeshjet e fundit në Etihad, Manchester ka dy barazime dhe një fitore kthyese kundër ‘bluve’. Ekipi i sheikëve sezonin e kaluar lëshoi fitoren nga duart, duke pësuar tre gola në pjesën e dytë pas epërsisë prej 2-0 me të cilin kishin shkuar në pushim. Superioriteti i Cityt nuk mund të vihet në dyshim kundër një Manchesteri pa mbrojtje. Vendasit vijnë në këtë ndeshje pas gjashtë golave të shënuar kundër Shakhtarit.
Në formë të mirë janë edhe Manchester United të cilët kanë shënuar fitore në fund si në fundjavën e kaluar kundër Bournemouth, ashtu edhe kundër Juventusit në mesjavë.
Milan – Juventus (e diel, ora 8e30)
Në pesë ndeshjet e fundit në San Siro, Juventusi ka fituar katër herë. E vetmja fitore vinte me atë golin e Locatellit të shënuar para dy viteve. Në Serie A, në total,, pos asaj fitoreje Milani të fundit e ka në vitin 2012 kur Robinho shënon te nga penalltia. Prej asaj ekipe të Milanit, tek kuqezinjtë ka mbetur vetëm Zapata dhe Montolivo i përjashtuar nga Gattuso.
Në këtë ndeshje, rossonerët vijnë pa sulmuesin kryesor, përballë Juventusit të etur për hakmarrje ndaj rivalit të parë pas asaj ndeshjeje të humbur nga Manchester United. Derisa kemi Juventusin që ka arritur të mbërthejë në vete të rikthyerin Bonucci dhe Cristianon, Milanin e kemi në pozitën e katërt e cila nuk tregon aspak formën reale të Milanit. Si rrjedhojë, mund të kemi një debakël të paparë të Milanit deri më tani, krejt si pasojë e mungesave eventuale në mbrojtje dhe manovrimeve të çuditshme të Gattusos me formacion.