DINAMO ZAGREB
Pas gati gjysmë shekulli në pranverë
9 November, 2018 @11:59
Skuadra e Dinamos së Zagrebit pas 48 vitesh ka siguruar pranverën në gara evropiane. Një arritje e jashtëzakonshme e ekipit kroat, që ka kapiten shqiptarin e Maqedonisë Arijan Ademi ndërsa standard aty është edhe qendërmbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani.
Dinamo Zagreb ka siguruar kualifikimin nga Grupi D i Europa Ligës, duke kapur 4 fitore nga 4 ndeshjet e para grupore ku bëjnë pjesë edhe Fenerbahçe me 7p aktualisht, Spartak Trnava me 3p dhe Anderlechti belg me 1p, dy xhiro para se të përfundojë faza grupore.
Përveç Dinamos, të tjerat ekipe nga të gjitha grupet e Europa Ligës që kanë arritur 4 fitore nga 4 ndeshjet e para janë: Salzburg në Grupin B, Eintracht në Grupin H dhe Chelsea në Grupin L.
Trajneri i Dinamos, Nenad Bijelica, ka thënë se është krenar me këtë ekip, ndërsa u ka kujtuar drejtuesve të klubit se në stinorin e kaluar nga 28 lojtarë të ekipit të parë, 27 dëshironin të largoheshin nga ekipi, e sot, këtë gjë askush s’e dëshiron.
Ndërsa kapiteni Ademi pas fitores së mbrëmshme (3-1 ndaj Spartakut) dhe sigurimit të pranverës evropiane me klubin ka shtuar.
“Falenderoj Zotin, ka ndodh ajo që e prisnim. Askush në fillim nuk na besoi. I vërtetuam të gjithëve se kemi kapacitet për të arritur shumë lartë dhe pas katër ndeshjeve me paraqitje të jashtëzakonshme, do të japim gjithçka nga vetja për të përfunduar të parët në grup, ashtu që të kemi kundërshtar më të lehtë në pranverë,” ka thënë Ademi për Jutarnji Listin kroat.
Dinamo ka pranuar vetëm tre gola në katër ndeshjet e para të fazës grupore, ndërsa ka shënuar 11 sosh, derisa më së shumti në Europa Ligë ka shënuar boshnjaku Izet Hajrovic (3 gola).