KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: LUAN MORINA
7 December, 2018 @11:25
1.Juventus – Internazionale (e premte, 8e30)
Vjeshtën e kaluar, Internazionale iku me një pikë pa gola nga Torino. Por, hera e fundit kur janë kthyer në Meaza me tri pikë, ekipi nga Milano ishte 3 nëntori i vitit 2012 kur Milito e Palacio shënonin dy golat për atë ekip nga e cila tani kanë mbetur vetëm Ranocchia dhe Handanovic. Është vetëm fitorja e dytë për Internazionalen në të gjitha 16 duelet e fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve në Serie A.
‘Derby dell’Italia’ hap këtë fundjavë futbolli, por pavarësisht rezultati, hapja e garës për titull në Serie A këtë sezon është e pamundur me Juventusin që tashmë është 11 pikë para Internazionales dhe tetë para Napolit në krye të renditjes.
2.Schalke – Borussia Dortmund (e shtunë, ora 3e30)
Derbi i Rurit, vjeshtën e kaluar ofroi njërën nga ndeshjet më të bukura të sezonit në Bundesliga. Ishte ndeshja në Signal Iduna Park e cila përfundoi me barazim prej tetë golave në total. Në Veltins-Arena, Dortmundi nuk ka fituar që nga vjeshta e vitit 2013. Nga ai ‘Revierderby’, të shtunën në formacion mund të jenë vetëm Reus e Schmelzer.
Që të dyja ekipet kanë kryer punën në Evropë, ku do të luftojnë vetëm për pozitën e parë në mes-javë, por fitorja për Schalken (vetëm tri pikë larg pozitës 16) është më e domosdoshme se për Dortmundin që kanë shtatë pikë kundër emnakëve nga Monchengladbach.
3.Chelsea – Manchester City (e shtunë, ora 6e30)
Diferenca prej dhjetë pikëve mund të kalojë në trembëdhjetë pikë në rast se Sarri nuk arrin të prodhojë ndonjë mrekulli kundër Manchester Cityt të shtunën. Vitin e kaluar Guardiola iu hakmor Contes duke e mposhtur në të dyja rastet, ashtu siç kishte bërë italiani një vit më parë. Tani, italiani tjetër do të duhet të adaptojë sistemin e tij për të marrë gjahun e plotë nga kjo ndeshje, ose do të mbetet në luftë për dy pozitat e fundit që dërgojnë në Ligën e Kampionëve.
E adaptimi më i mirë karshi Cityt është të zhvillosh lojën tënde. Kjo i ka bërë mirë Contes në sezonin e parë kur pati të gjithë Premier League-n të adaptoheshin e edhe të adaptonin lojën e tij. Për momentin Sarri po ruan strategjinë e tij, me rotacionin e tij të plotë me Europa League. Por, ky rotacion zor që do të funksionojë deri në fund, dhe ka filluar të shfaq çarjet e para.
4.Atlanta – Portland (e diel, ora 2 natën)
Pas startit shumë të mirë, bardhë-e-kaltrit kanë pësuar tri humbje radhazi, përfshirë edhe ndaj Gironas si vendas ndërmjet humbjeve me Sevillan dhe Getafen. Tani presin Barcelonën në derbin e Katalunjës, të shtunën në ora 8e45. Pasdreke, në ora 4e15, Valencia pret Sevillan.
Por, në mbrëmjen ndërmjet të shtunës dhe të dielës zhvillohet finalja e ligës amerikane në futboll, MLS. Në ligën e cila ka tre lojtarë shqiptarë – asnjëri në playoffs – Atlanta United e cila ka debutuar vitin e kaluar pret Portland Timbers. Ndeshjet gjysmëfinale ofruan lojëra të bukura, dhe gola edhe më të bukur. Tek Atlanta, sulmuesi Josef Martinez, MVP i këtij sezoni me 31 gola është arma kryesore, bashkë me Brad Guzan i cili është shtylla e portës së vendasve. Kundër ekipit më të mirë të ligës do të kundërvihen Portland Timbers me Diego Valerin e Sebastian Blancon.
Në votat për MVP, Ibrahimovic doli i treti para Rooney. I dyti ishte Miguel Almiron, bashkëlojtari i Martinezit (ish-lojtar i Toirinos), i cili pritet të kalojë në Premier League gjatë janarit.
5.River Plate – Boca Juniors (e diel, ora 8e30)
Më në fund pritet të zhvillohet finalja e dytë e Copa Libertadores, kësaj radhe në Santiago Bernabeu. Ndeshja e parë qe goxha e baraspeshuar me lojë të bukur, të hapur nga të dyja palët. Rezultati i barabartë nga ndeshja e parë, s’lë shumë hapësirë për kalkulime, sidomos për River Plate të cilët në llogarinë time janë favorit për të fituar titullin e kampionit të Amerikës Jugore.
Për herë të parë tek ne, ndoshta, ky derbi do të shikohet më shumë për lojën në fushë se sa për atmosferën në tribuna.