KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G:P
18 February, 2022 @12:00
Mes dy mesjavëve me Champions League, edhe fundjava ka plot ndeshje të mira.
Për dallim nga fundjavët e kaluara, për herë të parë për këtë fundavë kemi zgjedhur ndeshje nga futbolli kosovar.
1. West Ham - Newcastle (e shtunë, 13:30)
Deri pak vite më parë, ky do të ishte një duel për mbijetesë. Por, West Hami në sezonet e fundit është skuadër e pjesës së epërme të tabelës, e pas ardhjes së pronarëve nga Arabia si dhe nëse shpenzojnë siç duhet, e jo si Manchester United, ndoshta edhe Newcastle do të bëhet shpejt pjesë e ekipeve të epërme të Premier Leagues. Gjithsesi, së pari duhet të shpëtojë pa rënë në Championship.
Tri fitore në tri ndeshjet e fundit është forma e skuadrës së Eddie Howe dhe shpresat për të mbetur në elitën janë rritur dukshëm. Ardhjet e janarit kanë bërë kryesisht mirë, por ka ende shumë punë për të bërë deri në shpëtim. Lajm aspak i mirë është lëndimi i Kieran Trippier, që tregoi se sa i mirë është me të ardhur në Tyneside.
Trippier pësoi në lëndim në shputën e tij në fitoren ndaj Aston Villës dhe do të jetë jashtë fushës së paku për disa javë, lajm aspak pozitiv për Newcastlen.
Këtë fundjavë Newcastle udhëton në Londër për t’u ndeshur me West Hamin, që ndonëse ka 2 humbje e 1 barazim në 4 ndeshjet e fundit, prapë është në pozitë të mirë në tabelë dhe është skuadër e fortë.
Në 5 ndeshjet e fundit mes tyre në Premier League, West Hami ka fituar vetëm një herë, që dëshmon se Newcastle gjithmonë ka qenë kundërshtar jo i lehtë për ta dhe besoj se kështu do të jetë edhe këtë herë.
2. City - Tottenham (e shtunë, 18:30)
Pas deklasimit që ia bëri Sportingut të Lisbonës në Ligën e Kampionëve, City vëmendjen do ta kthejë në ligë, ku këtë fundjavë do të ketë punë me Tottenhamin.
Tottenhami në këtë takim vjen pas dy humbjeve radhazi në ligë e shumë lehtë mund ta pësojë edhe të tretën të shtunën ndaj Cityt, sidomos nëse mbrohet si ndaj Wolvesit. Në atë takim Sanchez ishte skandaloz, e bashkë me të edhe Lloris. Pa u kthyer si startues Dier e Hojberg, skuadra e Contes vështirë se do të gjejë qetësi në fazën mbrojtëse.
Pa asnjë dyshim, Tottenhamin të shtunën ndaj Cityt e pret punë e madhe, sidomos në fazën defansive.
Siç bëjnë zakonisht skuadrat që duan të nxjerrin diçka nga City, edhe Tottenhami duhet të tentojë ta evitojë pranimin e një goli të hershëm, e më pas të tentojë të shënojë përmes ndonjë kundërsulmi. Skuadrat që luajnë me 3 qendërmbrojtës dhe që kanë kundërsulme të shpejta shpesh e kanë dëmtuar Cityn dhe Spurs do ta tentojnë të njëjtën gjë.
3. Prishtina - Ballkani (e diel, 13:30)
Për herë të parë, në pesëshen e fundjavës kemi edhe një ndeshje nga futbolli i Kosovës.
Ballkani i Suharekës i drejtuar nga Ilir Daja udhëton për t’u përballur me Prishtinën, që këtë sezon në ligë nuk po bën mirë, e sezonin do ta kërkojë ta shpëtojë me një triumf në Kupë, që gjithashtu dërgon në gara evropiane sezonin që vjen.
Që të dyja përballjet mes këtyre skuadrave këtë sezon janë fituar nga Ballkani, e mes zërave për largimin e trajnerit Ibrakoviq, një humbje tjetër nuk do të ishte aspak e mirëpritur për Prishtinën.
Situata në kreun e tabelës është mjaft interesante dhe secila pikë është jetike në luftën për titull. Ballkani do të luajë për fitore dhe do të jetë një ndeshje mjaft e fortë.
4. Leeds - Manchester United (e diel, 15:00)
Rivaliteti i famshëm mes Leedsit dhe Manchester Unitedit ka filluar shumë dekada më parë. Prej momenteve më kritike në rritjen e këtij rivaliteti është transferimi i Eric Cantonas nga Leedsi te Manchester United në vitin 1992. Më vonë United do të transferonte nga Leedsi edhe Alan Smithin e Rio Ferdinandin, por asnjëri prej tyre nuk e kishte peshën e Cantonas.
Ndonëse Leedsi u rikthye në elitë sezonin e kaluar, dy ndeshjet e sezonit të kaluar mes këtyre dy skuadrave u luajtën pa shikues dhe prandaj rivaliteti mes tifozëve nuk u pa në stadiume, por do të shihet këtë fundjavë. Manchester United do të pritet nga një ambient “armiqësor” në Elland Road.
Ralph Hasenhüttl kishte plotësisht të drejtë javën e kaluar kur tha që United nuk ka fuqi të bëjë presion dhe të luajë siç duhet për më shumë se 30-40 minuta. Zakonisht lojtarët e United luajnë mirë vetëm për një pjesë. Me Solskjaer luanin vetëm gjatë pjesës së dytë, me Rangnick luajnë mirë kryesisht vetëm gjatë pjesës së parë. Situata në këtë klub vazhdon të jetë katastrofale dhe cilido trajner që vjen në verë, do të ketë shumë shumë punë.
Si përgjatë gjithë sezonit, Leedsi edhe të dielën do të luajë me shumë mungesa, por përsëri do ta luajë lojën e vet. United mesjavën e ardhshme luan në Evropë ndaj Atleticos, por nuk ka hapësirë për rotacione pasi që veçse ka lëshuar shumë pikë në luftën për top-katër.
Pres që të dyja skuadrat të shënojnë minimalisht nga një herë.
5. Betis - Mallorca (e diel, 18:30)
Super Betisi i Pellegrinit ndaj Mallorcas së Vedat Muriqit.
Sulmuesi prizrenas e ka nisur mjaft mirë aventurën e tij te Mallorca. Një gol dhe një asist (asisti ndaj Mallorcas iu anulua për shkak që u vendos se portieri i Bilbaos kishte shënuar autogol) në dy ndeshjet e para në La LIga është një fillim mjaft i mbarë për të. Edhe tifozët duket se i ka bërë për vete, bazuar në reagimet në llogaritë e Mallorcas në rrjetet sociale.
Duke qenë se Atletico dhe Barcelona nuk janë edhe fort stabile, Betisi ka të drejtë të besoj edhe më shumë në top-katër. Për ta arritur atë synim, ndeshjet si këto duhen fituar. Për më tepër, andaluazianët mbrëmë fituan ndaj Zenitit 2-3 në Rusi, për të qenë kështu pranë kalimit në rrethin tjetër të Europa Leagues, një tjetër faktor që e dëshmon formën fantastike që kjo skuadër po e kalon.
Ndeshja do të jetë e mirë për t’u shikuar dhe mbi të gjitha shpresojmë që Muriqi përsëri të shënojë.