EDITORIAL
A do të ketë EURO-ja fitues të ri?
2 July, 2021 @10:57
Sonte me fillim prej orës 21:00 me ndeshjen që zhvillohet në Munchen të Gjermanisë, pritet derbi çerekfinal i EURO2020, e paraparë për vjet, që për shkak të pandemisë, po luhet sivjet.
Belgjika dhe Italia do të zhvillojnë njërën ndër betejat kryesore në rrugëtimin e tyre drejt finales, pasi që të dyja po shihen si fituese potenciale të garës, por — vetëm njëra do të shkojë në gjysmëfinale sonte.
Nga ora 18:00 në Shën Petersburg, Zvicra befasi e arritjes në çerekfinale (për herë të parë në histori të vendit) do të përballet me Spanjën.
Fituesit e këtyre dy ndeshjeve të përmendura, do të ndeshen në gjysmëfinalen e 6 korrikut në Londër.
E rrugë drejt Londrës kërkojnë edhe Ukraina e Anglia që luajnë në Romë nesër mbrëma, si dhe Çekia e Danimarka, që luajnë në Baku. Fituesit e këtyre dy përballjeve, ndeshen më 7 korrik në Londër.
Lufta për të arritur në Londër nis sonte, e në Londër do të luhet edhe finalja e madhe e 11 korrikut.
Ndërsa në mesin e 8-shes më të mirë të këtij evropiani, përgjatë historisë e kanë fituar 4 skuadra që janë në këtë çerekfinale.
KUSH KA FITUAR EUROn?
Italia një herë (1968), Spanja tri herë (1964, 2008, 2012) — dhe duhet theksuar se është i vetmi vend që ka arritur ta fitojë EUROn radhazi. Çekia një herë (nëse u llogaritet trashëgimia e Çekosllovakisë nga viti 1976) dhe Danimarka një herë — në vitin e famshëm, 1992 — kur u patën ftuar si vend i dytë i grupit kualifikues, pasi që fituesja e grupit Jugosllavia u sanksionua.
Zvicra, Belgjika (një finale, 1980), Ukraina dhe Anglia — asnjëherë s’e kanë fituar garën. Për më tepër, pos Belgjikës asnjë s’ka arritur në finale. Ndërsa Zvicra e Ukraina janë për herë të parë në këtë fazë të garave, prandaj çkado që arrijnë ato — do të jetë historike për vendin.
RRITJA E PJESËMARRËSVE
Një gjë duhet theksuar edhe për ata që nuk e dinë, ose thjesht nuk u kujtohet. Prej vitit 1950 deri në 1976 në EURO kanë marrë pjesë nga 4 shtete pas kualifikimeve.
Nga 1980 deri në 1992 pjesëmarrëse kanë qenë 8 shtete. Kurse prej 1996 deri më 2012 nga 16. Nga EURO-ja e kaluar e mbajtur në Francë, sistemi kualifikues në EURO dërgon gati gjysmën e shteteve evropiane, 24 nga 55.
E a do të ketë EURO-ja fitues të ri kësaj radhe, apo ndonjë të përsëritur na mbetet të shohim, derisa pas Final Fourit të Londrës në EURO 2020 — i ardhshmi do të organizohet në Gjermani.