ANALIZË

Afati i prillit
Shkruan: LUAN MORINA
5 March, 2018 @23:10
Duhet të jetë viti i ringjalljes së futbollit italian ky, viti ku ndalet Juventusi, italianët në Evropë i afrohen Gjermanisë në pozitën e tretë, dhe parapërgatitje për një Serie A të kthyer në majën e ligave më të mira në botë.
Për momentin nuk janë aty, për shkak të dominimit total të Juventusit viteve të fundit, duke turpëruar të gjithë rivalët tjerë në Serie A, dhe atë vetëm një dekadë pas dëbimit në Serie B. Kampionët rekorderë kanë ekipin më të kompletuar në ligë, i cili këtë vit është relativisht më i dobët në krahasim me vitet paraprake. Në mars ndjekin tre titujt e mundshëm, në atë që duhet të jetë sezoni revolucionar për ta.
VENDIMTARE PËR NAPOLIN
Sezon vendimtar është edhe për Napolin. Me vetëm Serie A përpara tyre, ekipi i Sarrit duhet të mos lëshoj këtë shans të fundit për titull. Nuk e kanë lehtë, sidomos kur dihet se patën ndeshje me Romën në San Paolo e i udhëtojnë Internazionales, Milanit, e Juventusit deri në maj.
ROMAKËT DHE MILANEZËT
Ekipet e Romës dhe Milanos mbeten larg. Në fakt pos Internazionales të cilët si zakonisht në dhjetor janë afër, asnjëra nga tri ekipet tjera nuk ka pasur ndonjë shans për titull. Liga e Kampionëve mbetet imperativ për tri ekipet, pos Lazios për shkak të borxheve të mëdha. Ekip për titull nuk kanë asnjëra. Ekip për të konfrontuar Juventusin e Napolin kanë të gjitha, por cilësia e ligës varet nga ekipet tjera dhe aftësia e tyre për t’i përballuar kësaj gjashtëshe të cilën këtë vit e ndan Sampdoria, për dallim me Atalantën e vitit të kaluar. Që të dyja këto kanë ekipe të talentuara, të afta për Evropë. Fiorentina ka bërë shumë ndryshime, derisa Torinon, Udinesen, e Genoan i kanë ringjallur trajnerët e rinj.
SHPËTIMI
Crotone vitin e kaluar pati shpëtuar në mënyrë të magjishme. Ndoshta mund të pritej e njëjta nga Benevento, por është mision i pamundur për ta. SPAL e Verona janë akoma me shpresa, dhe nga të gjitha këto mendoj që Sassuolo është më së afërmi për tu bashkuar me Beneventon në Serie B në sezonin e ardhshëm.
Sezoni i ardhshëm do të duhej të jetë më i hijshëm për Serie A. Sidomos nëse Roma, Milani, dhe Internazionale i rregullojnë punët me financa.