DRENASI 0-2 MALISHEVA
Albion Rrahmani bën Malishevën lidere, pranë Superligës
1 May, 2021 @17:34
Malisheva është shumë afër Superligës! Dhe këtë për herë të parë në histori të klubit. Të drejtuar nga ish-trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi, Malisheva ka shënuar fitore me lojë të mirë ndaj Drenasit për të rimarrë kreun e Ligës së Parë A — pozitë kjo që dërgon direkt në Superligë.
Yll i kësaj ndeshjeje ka qenë Albion Rrahmani. Ai ka shënuar pak para fundit të pjesës së parë dhe me të nisur pjesa e dytë për të sjellë gëzimin e madh në ekip dhe me disfatën befasuese të liderit të deritashëm, Dukagjini, Malisheva ka marrë kreun e Ligës së Parë A — me fitore ndaj Drenasit si mysafir.
Drenasi 0-2 Malisheva [Albion Rrahmani 42, 49].
Në fund, Drenasi me këtë humbje rrezikon seriozisht mbijetesën në këtë ligë, pasi që Vushtrria e fundit në renditje, shënoi fitore.
Në dy xhirot e fundit Malisheva duhet të mposht Trepçën e Vëllaznimin për të siguruar Superligën.