SULMUES I RI TE KOSOVA
Andi Zeqiri, ardhja e re te Kosova?!
23 December, 2019 @23:18
Sulmuesi i lindur në Luasanne të Zvicrës, tash 20 vjeçari, Andi Zeqiri, pritet të jetë prurja më e re e reprezentacionit të Kosovës në futboll.
Zeqiri, që ka kaluar një pjesë të formimit të tij si lojtar në akademinë e Juventusit, qe disa vite është lojtar i Luasannes në Zvicër.
Këtë stinor 20 vjeçari, 181 centimetra i gjatë, ka shënuar 12 gola në 18 ndeshje të zhvilluara në Challenge League të Zvicrës, që me renditje është liga e dytë për kah rëndësia pas elitës së futbollit helvet.
Zeqiri është parë sot me kreun e FFK-së, Agim Ademi, në një takim, ndërsa vetë shkrimi i FFK-së në postimin lidhur me lojtarin ka shkruar: A do të jetë kjo surpriza e vitit 2019, apo bomba e vitit 2020?!
Kosova pas eliminimit nga faza e rregullt kualifikuese për në EURO 2020, ka edhe një mundësi tjetër kualifikimi aty. Dardanët janë pjesë e PlayOffit të Ligës D të Kombeve ku më 26 mars do të përballjen me Maqedoninë Veriore në Shkup. Pas kësaj, në rast se fitojnë, në finale përsëri si mysafir i pret fituesi i duelit Gjeorgjia-Bellorusia.