SUPERLIGA EVROPIANE

Barça, Juve e Real me dënime më të ashpra, të tjerët arrijnë akord me UEFA-në
7 May, 2021 @20:51
Nëntë nga 12 ekipet e Superligës Evropiane i janë zotuar UEFA-së për pjesëmarrje në gara, derisa Barcelona, Juventus e Real Madrid ende nuk kanë nënshkruar dhe mund të dënohen me mospjesëmarrje në Ligë të Kampionëve.
Arsenal, Atletico, Barcelona, Chelsea, Inter, Milan, Juventus, Liverpool, Manchester City, Manchester United, Real Madrid dhe Tottenham — shkaktuan bujë të madhe dhe “trazira” dy-ditore derisa filluan tërheqjet nga ajo që u quajt Superliga Evropiane.
Nëntë klube, mënjano Barcelonën, Juventusin dhe Real Madridin, i janë rikonfirmuar garave të UEFA-së dhe kanë pranuar gjobat dhe dënimet për stinorin e ardhshëm.
Bashkë, nëntë klubet do të paguajnë 15 milionë euro, që do t’i distribuohet fëmijëve, rinisë dhe futbollistëve njomakë, derisa secila skuadër do të penalizohet me 5% nga të ardhurat e stinorit tjetër në garat evropiane.
“Asnjë nga gjobat nuk do të alokohet nga UEFA-ja, por do të shpërndahet sipas rregullave në futbollin rinor të komuniteteve përgjatë gjithë Evropës,” ka bërë të ditur ndër të tjera Aleksander Ceferin, njëshi i UEFA-së.
Ndërsa treshja që ende s’është shkëputur zyrtarisht nga marrëveshja, pritet të dënohet edhe më ashpër.
“UEFA ka të drejtë të merr cilindo vendim të drejtë kundër këtyre klubeve që deri tash kanë refuzuar të largohen nga e ashtuquajtura Superligë,” ka shkruar më tej njoftimi i UEFA-së.
Mediat ndërkombëtare kanë shkruar se UEFA po shqyrton të ndalojë pjesëmarrjen e këtyre skuadrave në Ligë të Kampionëve për stinorin e ardhshëm. Ndërsa në ditët në vijim mbetet të shihet se çfarë vendimi do të mirret.