VLLAZNIA - BESA
BOROZANI/A.P.
Besa fiton pas 2 muajve
13 May, 2018 @18:16
Kanë rënë edhe matematikisht nga Superliga, mirëpo kjo nuk u pengoi që të shënojnë fitore në përballjen me skuadrën tjetër të rënë, Vllazninë.
Besa ka shënuar fitoren e parë pas 2 muajve në Superligë, duke e mposhtur thellë Vllazninë e Pozharanit, 1-4 sot në Gjilan.
Përndryshe, kjo ka qenë vetëm fitorja e dytë e Besës në Superligë në këtë vit, derisa ekipi pejan ish-kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës në vitin e kaluar - do të bëj pjesë në Ligë të Parë në stinorin 2018/19.
Ka qenë i riu Adis Salihu që i ka dhënë epërsinë fillestare Besës në ndeshjes, e më vonë e ka ngritur epërsinë në 0-2.
Fetim Kasapi ka shënuar për 0-3 në të mirë të pejanëve, derisa Valentin Pirani ka shënuar golin e nderit për Vllazninë, para se Fatlum Gashi të vendos përfundimtaren, 1-4 në të mirë të Besës.
Vllaznia dhe Besa, janë përshëndetur nga Superliga xhiro më parë. Ekipi pozharanas debutoi këtë stinor në elitë të futbollit kosovar, por nuk arriti të mbijetojë aty.
Ndërkaq për Besën, kjo është hera e parë që bie nga Superliga.