NGA FEDERATA ANGLEZE
Dënohet Klopp për koment ndaj referit
21 February, 2019 @23:39
Kryetrajneri i Liverpoolit, gjermani Jurgen Klopp është dënuar me 51 mijë e 753 euro (45 mijë funta angleze) nga Federata e Futbollit të Anglisë, pasi që ka pranuar akuzën për komentet ndaj referit Kevin Friend.
Klopp pas barazimit 1-1 ndaj West Ham Unitedit kishte thënë: “Dëgjova se goli ynë paskësh qenë i shënuar nga ofsajdi. Jam i sigurt se referi e ka ditur këtë.”
Kjo fjali i ka kushtuar mbi 50 mijë euro gjermanit, që po synon t’ia sjellë titullin Liverpoolit për herë të parë që prej vitit 1989.
Federata në akuzë ka përmendur se komentet e Kloppit pas ndeshjes kanë vënë në pyetje integritetin e referit të ndeshjes dhe/ose nënkuptojnë paragjykim në vendime.
Liverpool aktualisht është në vend të dytë të Premier Ligës me një ndeshje më pak të zhvilluar sesa lideri Manchester City.