ÇEREKFINALJA E KUPËS

Foto: prishtinafc.com
Derbi i çerekfinales së Kupës, sot
7 March, 2018 @8:24
Dueli që pritet të jetë më interesanti i çerekfinales së Kupës zhvillohet në Zahir Pajaziti të Podujevës sot.
Llapi i Tahir Batatinës, që po kalon në krizë të rezultateve përkundër lojës në pranverë në Superligë, do të ketë përballë Prishtinën, që ia morri lidershipin nga dora në Superligë.
Në duelin e tre xhirove më heret mes ekipeve në fjalë, Prishtina mposhti Llapin 2-0 me golat e shënuara nga Drasko Bozovic dhe një autogol, mirëpo krejt këtë Batatina e kishte arsyetuar me golin e hershëm të pësuar që prishi konceptin e lojës.
SI IA NISËN PJESËS PRANVERORE TË STINORIT?
Në ndërkohë, Prishtina pas fitores ndaj Llapit ka barazuar me Vëllaznimin dhe ka mposhtur kampionin aktual të Superligës, Trepçën’89 në ligë, për të qëndruar në krye të klasifikimit.
E Llapi në anën tjetër ka regjistruar tre humbje nga tre ndeshjet e para të pjesës pranverore të stinorit. Pas Prishtinës, Llapin e mposhtën edhe Drita e Flamurtari.
SI ARRITËN NË ÇEREKFINALE?
Sa i përket rrugëtimit në Kupë të Kosovës, Llapi në stinorin e kaluar ka arritur deri në finale të saj, që është suksesi më i madh i tyre si ekip.
E rrugëtimi i llapjanëve këtë stinor në Kupë ka kaluar përmes Vllaznisë së Pozharanit 0-1 dhe Trepçës’89 2-0 - që do të thotë se nuk ka pasur rrugë të lehtë deri në çerekfinale.
E Prishtina në anën tjetër, që drejtohet nga Mirel Josa, ka kapërcyer Flamurtarin 2-3 dhe Kosovën e Prishtinës 5-0 në të tetën e finales për të arritur çerekfinalen.
DUELI TJETËR
Në duelin tjetër çerekfinal të Kupës, sot takohen edhe Gjilane me Vushtrrinë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Ferizaj, në stadiumin me bar sintetik, pasi që stadiumi i qytetit në Gjilan është rënduar nga reshjet e ditëve të fundit.
Deri tash, gjysmëfinalen e Kupës e kanë siguruar: Drenica (me short) dhe Vëllaznimi, pasi që eliminoi Dritën dje përmes penalltive.