ANALIZË

Afati i prillit
Shkruan: LUAN MORINA
5 March, 2018 @23:21
Kur të ikë afati i janarit, e pret afatin e prillit. Nëse ka.
Janë tashmë disa sezone ku lufta për titull në Premier League mbaron qysh para festave të fundvitit. Dhe derisa më 2016 pritej një rënie në formën e Leicester Cityt, e vitin e kaluar skadim i magjisë së Contes, këtë vit deri në tetor është pritur një përsëritje e sezonit të parë të Manchester Cityt, por që nga nëntori puna e kampionit veçse ka qenë e mbyllur.
Guardiola ka trashur ekipin këtë vit duke mos i lënë hapësirë as lojtarëve rezervë të padenjë për një ekip kampioni. Dhe trashja e ekipit nuk ka ndaluar as në janar me ardhjen e Laportes dhe gatitjen e Fredit për t’i dhënë një ndihmë Fernandinhos në mesfushë.
KU PO GABON UNITED?
Gabimin e Guardiolas vitin e kaluar po e bënë Manchester United. Me krahë mbrojtjeje të adaptuar dhe të plakur si krahë sulmi, me qendërmbrojtës të denjë për Sunderlandin, po dëshmohen aftësitë e shkëlqyeshme të De Geas pa të cilin tri nga katër sezonet e fundit të Manchester Unitedit do të ishin të turpshme. Kanë përgatitur një sulm dhe mesfushë të shkëlqyeshme, por pa mbrojtje titulli në Premier League nuk vjen. Jo në këtë kohë kur të gjashtat kanë marrë seriozisht investimet në çdo pozitë.
HIJA E FIRMINOS
Liverpooli bën njërën ndër lojërat më atraktive në ligë. Por, konsistenca është armiku kryesor. Dhe mbrojtja. Ky repart është përmirësuar dukshëm këtë vit me ngritjen e Arnoldit dhe Robertsonit në krahë, dhe ardhjen e Van Dijk në qendër, të cilit do ti nevojitet kohë për tu adaptuar. Mesfusha është e përkryer, ngjashëm si krahët e sulmit. Më mbresëlënësi krahas Salah i cili po kalon një formë të denjë për t’u përfshirë në tre lojtarët më të mirë në botë këtë sezon, ka qenë Firmino. Një sulmues larg 9-shit klasik, falë dinamikës së tij ka arritur të kontribuoj në hije si në gola ashtu edhe në asistime.
S’KA ROTACION
Në sezonin kur ekipi do të duhej të ngjitej në një nivel të pjekur, Delle Alli vendos ta marr pushim! Talenti nuk mungon tek ky djalë sa mungon përgatitja psikike. Pos Alderweireld kanë qenë të kursyer nga lëndimet, por pa nevojë i kanë nxjerr vetes punë duke lënë repriza kundër ekipit që gjendet në kategorinë e katërt angleze, dhe ekipit që do të bie në kategorinë e katërt angleze këtë vit. Luajnë bukur, po nuk janë të mirë me rotacion.
KUSH E LËNDOI CHELSEAN?
Chelsean e kanë lënduar më së shumti muhabetet për të ardhmen e Contes, rënie nga forma e Moratës, dhe Evropa. Arsenali është ekip pa shpirt, dhe nëse mund të mësojnë diçka nga kundërshtarët e tyre të radhës në Evropë, është që ndërrimi i trajnerit kthen shpirtin.
Ndërrimi i trajnerit ka kryer punë në Premier League këtë sezon. Carvahal ka ringjallur Swansea Cityn, Hodgson të njëjtën ka bërë me Crystal Palace, e Allan Pardew s’do të mund të mbaj në ligë WBA-në.
LUFTËRAT KRYESORE
Lufta për mbijetesë edhe këtë vit është e çmendur, ngjashëm si pozita e shtatë që do të duhej të dërgonte dikë në Evropë, pasi zor se mund ta fitoj ndokush jashtë gjashtëshes Kupën FA. E edhe Burnley që është në pozitën e shtatë nuk do ta llogarisja që kanë siguruar mbijetesën kur janë ekipi i vetëm në Premier League krahas WBA-së e Crystal Palace që nuk ka shënuar fitore në pesë ndeshjet e fundit.