ÇEREKFINALJA E KUPËS

Foto: KFDrita/Intelektualet Official
Të premten barazuan, sot për Kupë
6 March, 2018 @6:12
Vetëm katër ditë më parë, Drita priti Vëllaznimin në Gjilan për përballjen e xhiros XXI të Superligës dhe sot bardhekaltërit e Gjilanit presin njejtë kuqezinjtë e Gjakovës për përballjen çerekfinale të Kupës.
Ndeshja e së premtes mund të ketë qëlluar si një provë e rëndësishme për trajnerët Bekim Isufi dhe Arsim Gojanin, ndërsa tash skuadrat do të kenë testin e një ndeshjeje - që mund të shkojë deri në penallti - për të përcaktuar gjysmëfinalistin e Kupës së Kosovës.
Derisa Drita përveç Kupës daljen në gara evropiane mund ta kërkojë edhe përmes Superligës, pasi që aktualisht po qëndron mirë në klasifikim, për Vëllaznimin nuk mund të thuhet njejtë.
Kuqezinjtë të vetmen derë për të dalë në gara evropiane e kanë nga Kupa dhe nëse seriozisht e mendojnë këtë, atëherë duhet të kalojnë pengesën e quajtur Drita sot, për të shpresuar pastaj në gjysmëfinale e finale.
REFERIMI
Genc Nuza do të jetë refer kryesor i ndeshjes, derisa do të asistohet nga Fatlum Berisha e Bujar Selimaj, kurse gjyqtar i katërt do të jetë Alban Shala.
Ndeshja fillon në ora 13:00 sot në stadiumin e qytetit të Gjilanit.
RRUGA PËR ÇEREKFINALE
Për të ardhur në çerekfinale, Drita rrugës ka eliminuar Feronikelin, duke e mposhtur 3-0, ndërsa në të tetën e finales ka kaluar Istogun me fitore minimale si mysafir 0-1.
Vëllaznimi ka kaluar kundërshtarë më të lehtë për të arritur deri këtu. Gjakovarët së pari kanë kaluar Beharin 3-0, ndërsa në të tetën e finales Rahovecin 3-1 për të siguruar biletën për çerekfinale të Kupës.