NGA KE E FFK-së

Disa ndeshje po investigohen
26 May, 2021 @8:36
Federata e Futbollit të Kosovës në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të saj ka bërë të ditur se disa ndeshje të futbollit kosovar janë nën investigim.
FFK nuk ka bërë të ditur në komunikatën e lëshuar për cilat ndeshje po bëhet fjalë, mirëpo ka lënë të kuptohet se disa prej tyre janë nën llupën e hulumtuesve që po kërkojnë dëshmi për të qartësuar epilogjet e ndeshjeve.
“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, e ku diskutoi për shumë çështje në futbollin e Kosovës. KE analizoi dhe diskutoi për rrjedhën dhe përfundimin e garave në këtë edicion, duke konstatuar se garat patën rrjedhë sipas dinamikës së paraparë si dhe përfundim të mirë, duke mos përjashtuar faktin se disa ndeshje janë nën investigim,” ka qartësuar FFK-ja ndër të tjera në njoftimin e lëshuar dje.
Kujtojmë, nëpër media është përfolur disa herë dhe rreth një muaj pa përfunduar stinori se dihen cilat skuadra do të dalin në gara evropiane këtë stinor, ndërsa dilema e vetme ka qenë se kush po bie nga elita.