EUROPA LEAGUE: 1/2
Dominim i pafrytshëm i Arsenalit, Griezmann ‘ndëshkon’
26 April, 2018 @23:05
Përkundër dominimit total dhe rasteve të panumërta për shënim, takimi i parë gjysmëfinal mes Arsenalit dhe Atletico Madridit në kuadër të Europa Leagues u mbyll me rezultat të barabartë 1-1.
Rrjedha e ndeshjes u pëcaktua pothuajse qysh pas 10 minutave të para, me Vrsaljkon e mysafirëve që u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë brenda pak minutave, Madje, pas kartonit të kuq të Vrsaljkos nga pankina u përjashtua edhe Diego Simeone, trajneri i madrilenëve, i cili për shkak të fyerjeve ndaj gjyqtarit pjesën më të madhe të ndeshjes e përcolli nga tribunat.
Inferioriteti numerik i mysafirëve bëri që i gjithë dominimi i ndeshjes t’i takojë Arsenalit, i cili sulmoi pa ndalur gjatë gjithë ndeshjes, mirëpo përkundër kësaj shënoi vetëm një herë. Shumë raste të londinezëve u ndalën nga pritjet fantastike të sllovenit Oblak, ndërsa shumë të tjera u shpërdoruan nga reparti ofansiv i tyre.
Dhe kjo i kushtoi skuadrës së Arsene Wengerit. 8 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Griezmann e shfrytëzoi një pakujdesi amatoreske të mbrojtjes vendase dhe shënoi për 1-1, duke ia dhënë skuadrës së tij një gol të ‘madh’ në terrenin kundërshtar. Goli i shënuar erdhi prej njërit nga dy rastet që Atletico pati sonte, gjë që e dëshmon dominimin e madh por të pafrytshëm të Arsenalit në këtë duel.
Startues për Arsenalin sonte ishin edhe Shkodran Mustafi e Granit Xhaka, të cilët luajtën përgjatë gjithë ndeshjes.
Nëse flasim për statistika, Arsenali nuk e ka as edhe një pikë të vetme si mysafir në vitin 2018 në Premier League, gjë që e bën përballjen në Madrid edhe më të vështirë.
Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Madrid, kurse finalja e garës luhet më 16 maj në Lyon të Francës, aty ku fituesi i këtij dueli do të përballet me fituesin e duelit mes Marseillet dhe Salzburgut.