PARA NDESHJA: KROACIA - SPANJA
Duel gjigand, që vendos çerekfinalistin
28 June, 2021 @14:42
Kroacia dhe Spanja sonte do të përcaktojnë çerekfinalistin e pestë të EURO2020, ndërsa njëra nga skuadrat edhe do të përfundojë evropianin.
Po, po dhe po - Diario AS
Kroacia, nënkampione e Botës aktualisht, me një formë larg asaj të “Rusia 2018” gjithmonë është e rrezikshme, derisa Luka Modric merr në kontroll lojën.
BILANSI MES VETI
Në anën tjetër një Spanjë e frikshme e Luis Enriques, që ka probleme me shënim golash, përkundër shpërthimit në lojën e fundit të grupit. Ish kampionja e Botës dhe Evropës kërkon rikthimin e lavdisë.
Në duelet e deritashme të tyre, Spanja ka avantazh të lehtë, pasi që ka 4 fitore krahas 3 të kroatëve, derisa një përballje ka përfunduar me barazim.
Sa i përket golave nga përballjet e tyre, Spanja është larg më mirë, me 15:9 ndaj “vatreni”-ve.
SI ARRITËN NË FAZËN ‘KNOCK-OUT’?
Aspak lehtë - Zlatko Dalic
Spanja siguroi daljen nga Grupi E në EURO2020 në xhiron e fundit me fitore ndaj Sllovakisë. Ndërsa Kroacia në mënyrë të njëjtë, duke e mposhtur Skocinë. Por, ajo që vlen të përmendet është se Spanja s’u mposht në grup, e Kroacia po, nga Anglia.
MUNGESA E THEKSUAR
Mungesë e madhe për kroatët shihet ajo e Ivan Perisicit, që është testuar pozitiv në COVID-19 ditë më parë. E Diario AS në ballinë ka shkruar fjalët e selektorit të “furia roja”: Do të fitojmë? Po, po dhe po.
Turku Cuneyt Çakir është refer kryesor i përballjes që nis prej orës 18:00 në Parkenin e bukur të Kopenhagës, ndërsa edhe selektori i Kroacisë Zlatko Dalic ka parashikuar lojën si tejet të vështirë: Ata pëlqejnë të mbajnë topin. Rrotullojnë topin në sulm dhe kërkojnë mini-hapësira për të sulmuar. Kanë cilësi, kanë shpejtësi dhe tashmë edhe lojtarë të ri. Aspak nuk do të jetë e lehtë.