MIREL JOSA
Duhet të sillemi mirë me futbollin
27 October, 2018 @20:21
Trajneri i Prishtinës, pas fitores së radhës së bardhekaltërve në Superligë ka thënë se është i kënaqur me lojën, posaçërisht me realizimet në pjesë të parë.
Prishtina mposhti Gjilanin si mysafir 3-0 sot, ndërsa epërsia prej 2-0 u bë që në pjesë të parë.
“Nuk është problemi se është ndeshja e katërt me fitore, problemi është te mënyra se si ne ishim përgatitur për ndeshjen sot pavarësisht se prisnim një Gjilan shumë më të fortë duke e pasur parasysh se çfarë ka bërë kjo skuadër me skuadrat tjera, me Feronikelin, qoftë me Dritën duke treguar fytyrë krejt tjetër, sidomos në fushën e vet. Megjithatë kjo varet se si e interpreton ndeshjen dhe unë mund të them që skuadra e interpretoi mirë, shënoi në rastet që patëm në pjesën e parë e ku mund të kishin shënuar edhe më tepër. Por të mbyllësh pjesën e parë me 2:0 është shumë e favorshme për vazhdimësinë. Ne ditëm të menaxhojmë lojën, kaq, na presin në vazhdim shumë lojë të vështira dhe nuk do të thotë që u fitua kjo lojë edhe do të fitohen edhe lojërat tjera, ashtu siç thatë që u fituan katër ndeshje rresht. Futbolli është shumë kapriçioz, nëse nuk sillesh mirë me të, atëherë ai të kthen shpinën kështu që ne duhet të sillemi mirë me futbollin, kjo më intereson mua,” ka thënë Mirel Josa pas ndeshjes, shkruan faqja zyrtare e Prishtinës sot.
Prishtina është e dyta në klasifikim aktualisht. Bardhekaltërit kanë 24 pikë pas 11 ndeshjeve të zhvilluara, 2 më pak se Feronikeli lider.